Shqiptari rreh të dashurën shtatzënë

26/12/2011 00:00

Nuk mund ta kishte kaluar më keq se kaq natën e Krishtlindjeve një vajzë
shqiptare, teksa u rrah barbarisht nga i dashuri i saj, pas një debati
për surprizën e padëshiruar të shtatzënisë së saj ruajtur “sekret” për
katër muaj me radhë.

Mediat italiane shkruajnë rreth një ngjarjeje të dhimbshme që ka për protagonist dy të rinj shqiptarë, një djalë dhe një vajzë, të lidhur mes tyre, e madje prisnin edhe një fëmijë. Po sipas raporteve të mediave, djali e ka dhunuar fizikisht të dashurën pa dashur t’ia dijë për shtatzëninë e saj. Historia nuk mbaroi këtu, pasi dhunuesi nuk është mjaftuar me kaq, por ka tentuar që ta hedhë nga kati i tretë i hotelit ku qëndronin pak pas mesnate, kur kishin trokitur Krishtlindjet. Ngjarja ndodhi në kryeqytetin italian, Romë, shumë pak larg Terminit. Dhunuesi, një 36-vjeçar shqiptar, u arrestua nga policia nën akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë. E dëmtuara është një 33-vjeçare po shqiptare, e cila u shtrua me urgjencë në poliklinikën e Umbertos në gjendje të rëndë shëndetësore, pasi kishte plagë në pjesën e kokës dhe në krah. Mjekët, të cilët po e ndjekin nga afër gjendjen e 33-vjeçares, kanë thënë se ajo është jashtë rrezikut për jetën.

Mësohet se çifti ndodhej në një dhomë hoteli në rrugën Marasala, dhe rreth orës 01.00 të mëngjesit të djeshëm kanë pasur një debat mes tyre, i kthyer shumë shpejt në sherr, që është dëgjuar edhe nga klientë të hotelit e kalimtarë të rastit. Më tej agresori ka nisur të ushtrojë dhunë mbi vajzën, ndërsa e ka hipur në një karrige, dhe e zvarriti deri poshtë dritares së hotelit me synimin për ta lëshuar nga atje. Pronarët e hotelit telefonuan policinë dhe kjo e fundit erdhi menjëherë në vendngjarje duke ndaluar një tragjedi të mundshme. Policia, bazuar në deklaratën e vajzës, tha se shkak për këtë ngjarje ishte bërë shtatzënia e 33-vjeçares, të cilën i dashuri i saj nuk e kishte pritur mirë. Vajza deklaroi se ajo ia kishte mbajtur të fshehtë faktin e të qenët shtatzënë, pasi mendonte t’ia bënte surprizë për Krishtlindje.

Top Channel