Besnik Gjongecaj – Duke deklaruar para shqiptarëve se nuk do të jetë më president i tyre në
vitin e ardhshëm, pra në fund të mandatit të tij të parë, Presidenti
Bamir Topi kreu gjestin më presidencial të kryer ndonjëherë në Shqipëri.

Në vendin më të korruptuar të Europës, me një sistem politik të dyshimtë që, në rastin më të mirë, edhe pas më shumë se njëzet vitesh tranzicion karakterizohet si një regjim hibrid ku elementë të demokracisë bashkëjetojnë me autoritarizmin, Presidenti i Republikës u ngrit në nivelin që do t’i kishte hije çdo presidenti tjetër të një demokracie perëndimore. Në këtë deklaratë ai paraqiti qartësisht arsyen pse nuk kandidon më dhe nëpërmjet saj zbuloi edhe rrënjët morale të këtij qëndrimi politik. Sipas deklaratës, z. Bamir Topi do të pranonte të rikandidonte vetëm nëse do të zgjidhej nga populli, gjë që nënkupton menjëherë dy gjëra: e para, Presidenti nuk lejon që personaliteti i tij të bëhet pre e “skifterëve” të politikës, e pazareve të ulëta, të shtypet e të deformohet nga pesha e rëndë e koncesioneve dhe e krizës morale që ka pushtuar politikën e sotme, dhe e dyta, një mandat i ri presidencial që do të origjinonte nga pazaret e politikës, që do të trashëgonte virusin e krizës së sotme, më shumë se personalitetin, do të poshtëronte misionin e Presidentit, do ta zvogëlonte atë, do ta mbante peng, madje do ta bënte të padobishëm për qytetarët e vendit. Cilido që të jetë angazhimi i Presidentit Bamir Topi pas përfundimit të mandatit, si qytetar apo si politikan, mospranimi i rikandidimit në kushtet e votimit në Kuvend dhe jo nga populli, e ka fuqizuar pakrahasimisht potencialin e tij politik, i ka dhënë një shkëlqim të ri moral, i ka dhënë kapacitetin e mjaftueshëm për t’i shërbyer vendit dhe qytetarëve në një mënyrë edhe më të dobishme.

* * *

Në Kushtetutën e vendit përcaktohet misioni i Presidentit dhe formatohet institucioni i tij. Në Kushtetutë, sigurisht, nuk mund të flitet, por vetëm të nënkuptohet formatimi moral i tij, plotëria e karakterit, profili qytetar, që në fakt janë edhe thelbi i një autoriteti në politikë, aq më shumë, thelbi i personalitetit të Presidentit të Republikës. Në këtë pikëpamje, nëse fillimisht do ta skiconim Presidentin pa pasur parasysh asnjë person konkret, por vetëm përfytyrimin që qytetarët do të kishin për të, atëherë Presidenti i Republikës do të ishte ai tek i cili qytetarët e këtij vendi, si te çdo autoritet tjetër jo partiak që ata e ngrenë me votat e tyre, do të shihnin “jo thjesht dhe vetëm një produkt të preferencës së tyre, por personalitetin, shqetësimin, aspiratën, guximin për fjalën e lirë, mendimin dhe ndërgjegjen qytetare; pra gjithçka që do të donin t’i kishin vetë në përfytyrimin e tyre qytetar”. Brenda këtij skicimi moral, këtij skicimi të karakterit në fund të fundit, analizojmë një çështje esenciale, e cila, megjithëse është përmendur shpesh si e tillë, ka mbetur dhe mbetet e paqartë, pavarësisht rëndësisë që ka në formimin demokratik të shoqërisë: cili prej tyre, Kuvendi apo populli, do të mund t’i afrohej zgjedhjes së një individi në përputhjen më të lartë me këtë format apo skicim moral? Në të dyja rastet, përcaktues nuk do të jenë kandidaturat, por integriteti i votuesve. Kuvendi, fatkeqësisht, përbëhet nga votues të këqij, sepse janë votues jo të lirë. Kjo gjë mori një ngjyrë veçanërisht verbuese në Kuvendin e pas vitit 2009, i cili, për shkak të listave të mbyllura të kandidatëve për deputetë të emëruar nga partitë, u mbush me deputetë me probleme të rënda të integritetit. Një deputet pa integritet nuk sheh tek autoriteti i Presidentit “personalitetin, shqetësimin, aspiratën, guximin për fjalën e lirë, mendimin dhe ndërgjegjen qytetare”, por interesin partiak që do t’i jepet në formë urdhri nga kryetari i partisë së tij. Thjesht, ashtu si u katandis në zgjedhjet e fundit, Kuvendi nuk ka dinjitetin e mjaftueshëm për të zgjedhur kryetarin e shtetit. Nëse do të lihej të votonte, populli do të bënte një zgjidhje tjetër, një zgjidhje shumë më qytetare se Kuvendi. Aq më shumë, duke parë integritetin e gjymtuar të politikanëve që vijnë rrotull në hapësirën e këtij vendi, me siguri që populli do të votonte atë personalitet që do të kishte më pak lidhje me partitë, individin më pak të gjymtuar prej tyre, çka do të përbënte një përputhje ideale midis përfytyrimit të popullit dhe njeriut që do ta materializonte atë. Qartësisht, të gjithë presin që zgjidhja që do të vijë nga Kuvendi të jetë një zgjidhje e deformuar, gjë që, midis të tjerash, do t’i ndihmojë qytetarët e këtij vendi të kuptojnë shumë më mirë se sa larg është përfytyrimi i tyre mbi politikën nga vetë politika ekzistuese.

* * *

Menjëherë pas gjestit presidencial të z. Topi, zyrtarë të PD-së gjetën kohën për ta sulmuar edhe njëherë atë. Njëri prej tyre, me një zhargon terroristësh, tha se Presidenti Topi ka vënë një “kamion tritol te Presidenca dhe një te Parlamenti”, duke dashur të shprehë rrënimin që u është shkaktuar këtyre institucioneve nga qëndrimet e Presidentit të Republikës! Me siguri, të tjerë pritet të bëjnë krahasime me lëndë të tjera shpërthyese, të llojeve edhe më shpërthyese se tritoli, dhe ndoshta, për shkak të njohurive të kufizuara, do t’u duhet të shohin ndonjë kopje liste të municioneve që depozitoheshin në Gërdec. Një nga ata që veçanërisht do t’i interesonin qëndrimet publike të Presidentit Bamir Topi do të ishte edhe gazetari i emisionit “Opinion”. I ngarkuar këto kohë me vëmendje publike, për shkak të botimit të një libri mbi diktatorin Enver Hoxha, ai sulmoi Presidentin e Republikës, duke qenë i bindur se për shkak të vëmendjes publike ndaj tij, ishte momenti më i favorshëm që ky sulm të shkaktonte edhe plagën më të rëndë, dëmin më të madh në personalitetin politik të Presidentit. U gëzova kur vdiq Enver Hoxha dhe… nuk kisha dëshirë që z. Topi të vinte në promovimin e librit – thotë ky gazetar brenda së njëjtës intervistë të para pak ditëve tek “Ora News”. I pari, Enver Hoxha, ishte kryetari i shtetit komunist, i dyti, Bamir Topi, është kryetari i shtetit demokratik! Gjithsesi, edhe ky pohim, sado i panatyrshëm të duket, shpjegohet lehtësisht sapo shkon në thelbin e tij. Dhe ja se si. Në kinematë e kohës së diktaturës ndiqej një rregull që synonte të përjashtonte fëmijët dhe të rinjtë nga ato pak skena erotike që mund të shfaqeshin në ndonjë film. Megjithëse zgjidheshin filma të çliruar plotësisht nga këto skena, megjithëse filmat censuroheshin deri në etiolim, deri në anemi, kontrolli skrupuloz i propagandës komuniste ishte aty përsëri, madje te dera e kinemasë, në formën e një letre, në të cilën shkruhej se për iks film ndalohej hyrja e fëmijëve nën moshën 14 vjeç. Fatkeqësisht, kjo copë letër e hequr prej kohësh nga dyert e kinemave, megjithatë, nuk e ka humbur aktualitetin edhe në ditët e sotme, dhe jo vetëm si metaforë. Ajo ka vlerë edhe sot po të vihet në ballë të disa institucioneve: në hyrje të Kuvendit, të ndërtesave të institucioneve të drejtësisë, të shkollave, të universiteteve. Ajo copë letër duhet të ngjitet veçanërisht në ballë të panteonit të mediave, atje ku rrinë përpunuesit e opinionit publik, por jo rrallë edhe fabrikuesit e tij, gazetarët me standarde të dyfishta, të trefishta, të shumëfishta. Një rregull i tillë, për shembull, mund të aplikohet për gazetarin e emisionit “Opinion”. Ndërgjegjja e publikut shqiptar u zgjua spontanisht pas botimit të librit “Enver Hoxha”, sepse nuk mbeti njeri pa kuptuar se kanë të bëjnë me një gazetar që jo vetëm koha e ka vendosur midis dy oborreve; me një gazetar që ka një standard të dyfishtë. Ndërsa përbetohet si armik i regjimit diktatorial të Enver Hoxhës, ai vetëshpallet si një lajkatar, konformist, si një mik djallëzor i regjimit të sotëm të Tiranës. Menjëherë të shkon mendja te kinematë e fëmijërisë sime, tek ajo letra që ngjitej te dyert e ndaluara për ne. Dhe them që një letër e tillë duhet të ishte shkruar edhe për këtë gazetar, jo vetëm për ne, djemtë e asaj kohe, dhe jo vetëm për këtë punën e skenave erotike. Qartësisht, ky gazetar që plot komoditet rri në sipërfaqe të plagëve të rënda të shoqërisë së sotme shqiptare, që nuk tenton kurrë të futet në shkaqet më të thella të vrasjeve shtetërore në Shqipëri, të cilat akoma kullojnë gjak, që nuk tenton kurrë të denoncojë problemet tragjike në sistemin e drejtësisë, të arsimit, të shëndetësisë, që nuk denoncon problemet e rënda të krijuara në të drejtën themelore të njeriut për të ndërtuar fatin e tij mbi një konkurrim të drejtë në shoqëri, pra, ky njeri, që me “virtuozitetin” e një violinisti të ulur anës rrugës dhe me pecetën e shtruar para shalëve të tij, ku presupozohet të hidhen monedhat, prodhon tinguj të ëmbël për regjimin e sotëm të Tiranës, e ka të ndaluar të ulet e të shkruajë për një diktaturë tjetër, aq më shumë për diktaturën e Enver Hoxhës, ta shajë atë, ta mallkojë, të zbulojë sekretet më të thella të saj. Ai e ka të ndaluar ta bëjë këtë për sa kohë bën të kundërtën në shoqërinë autoritariste ku jeton. Për sa kohë që jo vetëm hesht dhe mbulon problemet më të thella, madje tragjeditë e këtij vendi, por edhe për sa kohë ai, si një konformist shembullor, i mahis ato duke i fshehur nga sytë e opinionit publik. Tek asnjë, as te ky gazetar, nuk mund të besosh që synon seriozisht të shkojë tek e vërteta historike e një diktature kur bën sikur nuk e sheh të vërtetën tragjike të rishfaqjes së fantazmës së saj në kohën që jeton. Ashtu sikundër mund të jesh i sigurt që në një kohë tjetër, i njëjti gazetar do të botojë një libër për autoritarizmin e sotëm. Libri do të jetë historik, sigurisht, sepse do t’i takojë një kohe që nuk do të jetë më. Vetëm për atë që e detyron një gazetar të shkruajë nuk do të shkruajë ai: për faktet tragjike të kohës në të cilën jeton. Ky do të ishte një çmim që ka vendosur të mos e paguajë.

* * *

Edhe Obama po të bëhej president, nuk ka ç’i bën më Shqipërisë – shkruante dikush në një nga opinionet që qytetarët japin në shtypin e ditës mbi qëndrimin e fundit të Presidentit të Shqipërisë. Është një pohim cinik, dëshpërues, por të paktën shpreh qartësisht se në ç’thellësi është fundosur politika shqiptare nga njëra anë dhe faktin që zgjidhja për ta ringritur atë nuk mund të jetë më te institucioni i Presidentit, nga ana tjetër. Shqipëria e ka humbur ekuilibrin politik, për shkak të problemeve të rënda në zgjedhje dhe për shkak të shumicës qeverisëse të mbetur bosh, pa përmbajtje politike, në një hije të rëndë dyshimi. Të dyja këto tregojnë qartë që është tronditur rëndshëm baza morale dhe ka humbur besueshmëria. Institucioni i Presidentit, përgjegjës për ruajtjen e balancave të vendit, nuk ka më se ç’bën kur këto balanca nuk janë më. Fjalën e ka populli. Fjalën e kanë ato parti që do të fitojnë besimin e tij.

Gazeta “Shqip”

Top Channel