Personat me aftësi të kufizuara, pa shpërblim

26/12/2011 00:00

Këtë vit atmosfera festive ndihet tek ata që kanë mundësi për të
shpenzuar, por edhe që kanë marrë dhurata apo shpërblime apo kanë korrur
fitime.

Për kategoritë në nevojë, pensionistë, por edhe personat me aftësi të kufizuara, këtë vit nuk u vendos në dispozicion asnjë shpërblim, apo rrogë e 13 ashtu siç njihet në të gjithë botën. Kush ka fëmijë, të afërm apo prindër në gjendje të mirë ekonomike do të ketë mundësi të mendojë për organizime, për të festuar, për dhurata, për një tryezë të pasur, për zbukurime, por edhe për të kënaqur personat që u qëndrojnë pranë. Këtë vit personat me aftësi të kufizuara në përgjithësi, por edhe invalidët e punës në veçanti, nuk do të marrin asnjë shpërblim për festat e fundvitit. Invalidët e punës janë ata të cilët janë gjymtuar apo aksidentuar në punë dhe që konsiderohen si personat me probleme, në vështirësi, grup në nevojë.

Pavarësisht kushteve të tyre, këtë vit ata nuk do të kenë mundësi të tërheqin asnjë shpërblim nga qeveria. Ministria e Financave ka deklaruar se ndodhet në ditë të vështira, aq sa festat do të kalojnë si çdo ditë tjetër, në mënyrë të veçantë për kontingjentin e personave “të vuajtur”.

Pensionistët

Të njëjtin fat, asnjë shpërblim, as 5 mijë lekë dhe as 10 mijë lekë të reja, nuk janë vendosur në dispozicion as për pensionistët shqiptarë. Në gjendje më të vështirë janë pensionistët e vetmuar apo ata që edhe pse në moshë të madhe përsëri mbeten kryefamiljarë. Përveç se të numërojnë paratë e pensionit e të bëjnë llogaritë se sa të heqin për të paguar drita, ujë e telefon, nuk u mbetet gjë tjetër mes dy alternativave: ose të blejnë gjelin e Vitit të Ri dhe të heqin dorë nga ilaçet, ose të blejnë barnat, me të cilat trajtojnë grumbullin e sëmundjeve dhe të kalojnë natën e ndërrimit të viteve ashtu si çdo darkë tjetër…

Personat me aftësi të kufizuara

Përveç shpërblimeve të Vitit të Ri, personat me aftësi të kufizuara, paraplegjikë, tetraplegjikë, të verbër, kanë edhe shqetësime të tjera madhore. Pak kohë më parë, Shoqata e të Verbërve të Shqipërisë dhe Shoqata e Para dhe Tetraplegjikëve e Shqipërisë kanë bërë publike skandalin e fundit të ndodhur në vendin tonë. Së bashku shoqatat kanë bërë kallëzim penal në Prokurorinë e Përgjithshme për të denoncuar abuzimet me listat e përfituesve të energjisë elektrike.

Kreu i Shoqatës së të Verbërve, Sinan Tafaj, ka reaguar zyrtarisht dhe publikisht, duke vendosur në dijeni strukturat shtetërore, por edhe qytetarët lidhur me shpërdorimin e fondeve për kategoritë në nevojë, nga persona të cilët janë në gjendje të mirë ekonomike, biznese e madje subjekte të kamura, të cilat pavarësisht financave të shëndosha nuk kanë pasur turp për të përvetësuar para edhe nga fondi i të verbërve dhe para e tetraplegjikëve.

“Ne shprehim shqetësimin e thellë se, sipas kërkesave të CEZ-it, qeveria shqiptare qenka debitore në disa miliardë lekë për mossubvencionimin e konsumit të energjisë elektrike nga të verbrit e paraplegjikët. Jemi informuar se lista që u është dërguar institucioneve qeveritare përmban rreth 25 mijë përfitues. Ne deklarojmë me përgjegjësi të plotë se, sipas listave tona, të paktën 10 mijë prej këtyre njerëzve janë përfitues abuzivë”, ka sqaruar dje kreu i Shoqatës së të Verbërve, Sinan Tafaj.

Top Channel