Modeli ekonomik gjerman, mospërputhje karakteri

26/12/2011 00:00

Në arenën ndërkombëtare, produktet gjermane kanë një reputacion të
shkëlqyer. Ato përfaqësohen nga mbishkrimi “Made in Germany”, e njohur
si një “vulë” e cilësisë së lartë në të gjithë botën

Ekonomia gjermane është e karakterizuar nga inovacioni, cilësia e lartë dhe zbatimi i teknologjisë më të avancuar. Ekonomia e katërt më e madhe në botë nuk mbështetet vetëm në kompanitë që operojnë globalisht, por edhe në shumë ndërmarrje të vogla dhe të mesme, të cilët kanë një rol lider në tregjet globale dhe që përbëjnë forcën e vërtetë të ekonomisë gjermane. Gjermania ka arritur të përfitojë nga kushtet e saj të mira ekonomike dhe nga kualifikimi i lartë i fuqisë së saj punëtore dhe prej vitit 2003 është eksportuesi i dytë më i madh në botë. Shumica e vendeve, duke njohur mirë vlerat dhe biografinë e pasur të ekonomisë më të zhvilluar në Europë, kërkojnë të përfitojnë sa më shumë nga modeli gjerman, duke zgjeruar bashkëpunimin dhe duke krijuar kushte tërheqëse për investimet gjermane. Me rastin e vendit tonë, çuditërisht puna qëndron ndryshme dhe duket sikur kemi të bëjmë me një “mospërputhje karakteri” me rregullat gjermane të lojës.

Në një intervistë për “Dojçe Vele”, të dhënë para disa ditësh, ambasadorja e Gjermanisë në Shqipëri, Carola Müller-Holtkemper flet për situatën në Shqipëri dhe sipas saj: Korrupsioni dhe mungesa e shtetit ligjor mbajnë larg investitorët e huaj, të cilët do të mund të krijonin vende pune të reja me anë të dijeve dhe kapitalit që do të sillnin në vend, si dhe do të mund të ndihmonin nëpërmjet aktiviteteve ekonomike bilancin deficitar të Shqipërisë. Deklarata e fortë vjen nga zëri zyrtar i një vendi, i cili që prej vitit 1988 ka dhënë ndihma dhe ka financuar në vendin tonë projekte të ndryshme në fushën e arsimit, të shëndetësisë, të energjisë elektrike, në projektet e përmirësimit të sistemeve të furnizimit të ujit të pijshëm dhe së fundi edhe në sigurimin e digave të hidrocentraleve mbi lumin Drin si dhe në forcimin e kapaciteteve të transmetimit të energjisë elektrike. Në total, ndihma e ofruar në shërbim të qytetarëve shqiptarë, që prej fillimit të ndihmës 2 vjet para rënies së sistemit komunist, e tejkalon shumën e 1 miliard eurove. Të bën përshtypje modeli i mbështetjes gjermane, e cila është pa shumë bujë dhe është e drejtuar në sektorë jetikë, me qëllime afatgjata që i japin një tjetër perspektivë kushteve bazë të ekonomisë së vendit tonë.

Në këtë kuadër, është e rëndësishme të kuptojmë se cilat janë arsyet që investitorët gjermanë po ngurrojnë të futen në tregun shqiptar. Në një analizë të kujdesshme të investimeve gjermane do të kuptojmë se ato janë duke përgatitur terrenin për të krijuar kushte të përshtatshme për investime të huaja në terma afatgjatë. Në të vërtetë, nëse vendi ynë do të bëhet tërheqës për investimet gjermane, atëherë do të jetë i tillë edhe për të gjitha burimet e investimeve të huaja. Aftësitë konkurruese të vendit tonë për të tërhequr investitorë të huaj, siç duket, janë më pak konkurruese se vendet e rajonit për disa arsye, ose e thënë më saktë për një grup të koklavitur faktorësh të kontrollueshëm dhe të pakontrollueshëm. Në grupin e parë të arsyeve do të renditnim një sërë faktorësh natyralë, që kanë të bëjnë me largësinë gjeografike të tregjeve të vendeve tona, me cilësinë dhe nivelin e kualifikimit të punonjësve, të cilët janë të papërshtatshëm në disa sektorë që kërkojnë kualifikim të lartë si dhe madhësinë natyrale të tregut shqiptar.

Nga ana tjetër, kemi të bëjmë me një grup faktorësh që janë të menaxhueshëm dhe të kontrollueshëm. Një nga pengesat më të mëdha që frenon investitorët seriozë është çorba e gatuar me pronat në Shqipëri, që është një “mur Berlini” për vetë qytetarët shqiptarë e jo më për të huajt. Kjo gjendje është pasojë e sistemi të kalbur gjyqësor që i ka krijuar ekonomisë shqiptare dëmin më të madh në 20 vitet e fundit. Niveli alarmant i korrupsionit në të gjithë administratën, natyrisht, nuk mund të bëjë për vete investitorë seriozë, sado që të çirremi me të madhe se një arritje e madhe dhe e shkëlqyer e vendit tonë është krijimi i të gjitha kushteve për thithjen e investimeve të huaja. Një tjetër arsye e kontrollueshme që ka një ndikim të madh në frenimin e investimeve serioze ka të bëjë edhe me biografinë e ekonomisë shqiptare. Psikologjia e “fushës së djegur” në fillim të viteve ‘90 shkatërroi përfundimisht të gjitha vlerat biografike të fuqisë punëtore dhe çoi në një gjendje të mjeruar të kualifikimit të punonjësve të industrisë. Kjo çoroditje afatgjatë e tregut të punës i ka dhënë ekonomisë së vendit një goditje të madhe në planin strategjik. Tregu i punës ka një vakum të madh në klasën e teknikëve të mesëm dhe të ulët.

Nga ana tjetër, shumë i rëndësishëm mbetet roli i shtetit në ekonomi. Një nga detyrat më të rëndësishme të tij duhet të jetë mbrojtja e mjedisit konkurrues ekonomik nga tendencat monopoliste apo oligopolistike. Pavarësisht deklaratave euforike nga burimet qeveritare në këtë drejtim, prova e vetme që jemi duke krijuar standarde dhe që aftësitë konkurruese të vendit tonë për të thithur investime janë rritur, do të vijë si rezultat i interesit nga ekonomia më e përparuar në Eurozonë. Gjermanët me krenari e etiketojnë ekonominë e tyre, “ekonomia sociale e tregut”, për të treguar se sistemi ekonomik që zbatojnë ka zhvilluar një model me dimension social. Ata e theksojnë rëndësinë e lirisë së “tregut” jashtë ndërhyrjes dhe dominimit shtetëror. Për të siguruar këto kushte në tregun shqiptar, institucionet qeverisëse duhet të provojnë se janë në gjendje të përballojë presionin dhe forcën e oligarkëve të rinj dhe të vjetër. Nuk është e mjaftueshme që politikat qeverisëse të mbështeten vetëm tek niveli i ulët i barrës fiskale prej 10 për qind, ndërkohë që shqetësimi më i madh i investitorëve lidhet me kostot e fshehura të biznesit si pasojë e korrupsionit galopant. Investitorët kanë arsye të forta të ngurojnë të investojnë në një vend, ku nuk e kanë të qartë se sa janë kostot reale të investimit, sidomos kur ky ngurrim mbështetet nga deklarata zyrtare të përfaqësuesve të tyre. Ekonomisë shqiptare i mungon ajo “përputhje karakteri”, e nevojshme për të tërhequr investimet gjermane në vend…

Gazeta “Shqip”

Top Channel