Shqipëria është bërë një vend urban, ku shumica e popullatës jeton nominalisht në qytete, së paku sipas klasifikimit zyrtar të bashkive dhe komunave, por shumica e tyre, zyrtarisht janë të vetëpunësuar në bujqësi. Këto janë të dhënat e Institutit të Statistikave.

Nga censusi i zhvilluar në tetor, rezultoi se në Shqipëri jetojnë 2.83 milionë njerëz, nga të cilët, 1.52 milionë ose 54 për qind, jeton në qytete.

Por për vitin 2010, të dhënat e INSTAT tregojnë se në Shqipëri ka 916 mijë vetë të punësuar, nga të cilët, 506 mijë vetë ose 55 për qind, klasifikohen si të punësuar në sektorin privat bujqësor dhe 410 mijë vetë rezultojnë të punësuar në sektorin modern, pra janë të punësuar nga shteti ose në sektorin privat jobujqësor.

Nuk ka ndonjë mospërputhje shifrash në këtë mes, pasi një pjesë e popullatës është ekonomikisht joaktive. Por problemi qëndron te vetë koncepti “popullatë urbane”, që ndryshon nga vendi në vend e që shpesh krijon përshtypje të gabuara.

Gjatë dekadës së fundit, popullata rurale është pakësuar me 465 mijë vetë, ndërsa popullata urbane është rritur me 227 mijë vetë.

Ndërkohë, shqiptarët e njohur si të punësuar në sektorin modern janë shtuar nga 394 mijë vetë në vitin 2001, në 410 mijë vetë në vitin 2010. Nga 227 mijë vetë që supozohet se janë zhvendosur nga fshati në qytet, shumë pak prej tyre rezulton të jetë punësuar në sektorin modern.

“Një shoqëri e urbanizuar nënkupton një vend ku shumica e popullatës kryejnë punë jobujqësore, ku zejtaria është zëvendësuar me industrinë dhe për rrjedhojë, popullata është përqendruar në qytete”, shpjegon me pak fjalë Fjalori i Gjeografisë së Oksfordit.

Nëse marrim për bazë këtë përkufizim, Shqipëria nuk rezulton një vend urban, për shkak se shumica e popullatës së pranishme në vend nuk ka punësim urban. Por koncepti shqiptar mbi popullatën urbane është i ndryshëm.  

Përkufizimi

Dallimi mes qytetarit dhe fshatarit konsiston në faktin nëse banon në një zonë territoriale të njohur ligjërisht si bashki, apo banon në një zonë të njohur si komunë.

Gjatë dekadave të fundit, ka shumë komuna ku nuk ka më tokë bujqësore pasi është zënë nga ndërtimet, siç ka edhe shumë qytete që janë kthyer në fshatra për shkak se baza e tyre ekonomike jobujqësore është zhdukur.

Raste të tilla janë ish-qytezat minerare, të cilat sot kanë statusin e qytetit, por nuk kanë punë urbane sepse minierat janë mbyllur.  

Urbanizimi dhe qytetet

Në të gjithë botën është i dallueshëm koncepti urbanizim me konceptin popullatë që banon në qytete. Qytetet konsiderohen zonat e banuara që kanë industri, kanë selinë organizatat fetare rajonale, apo kanë bazën administratorët e qeverisë. Njerëzit mund të banojnë në fshat dhe të punojnë në qytet.

Fshatrat mbeten fshatra dhe popullata rurale mbetet ajo që banon në fshatra. Franca p.sh, ka normë urbanizimi 75 për qind, por vetëm 2 për qind e popullatës është e punësuar në bujqësi. E kundërta ndodh në Lihtenshtein, ku nominalisht, urbanizimi është 14 për qind, por fshatarë që të punojnë tokën nuk ka.

Koncepti ligjor shqiptar i popullatës qytetare dhe asaj fshatare lindi në vitin 1992, kur u krijua sistemi i menaxhimit të pushtetit vendor me dy nivele. Ky sistem caktonte qytetet në bashki dhe fshatrat në komuna. Ndërkohë, gjatë këtyre 20 viteve, disa komunave u është dhënë statusi ligjor i bashkive, ndërsa qyteteve që janë zhdukur, nuk u është hequr statusi i qytetit.

Kështu ndodhi që një grup xhirimi i “Top Channel”, zbuloi se një bashki në Shqipëri me emrin Kurbnesh, sot nuk ekziston më si qytet, ndërsa “Shqip” zbuloi qytetin më të vogël në botë, një vend të quajtur Kam, i cili ka një duzinë banorësh, por edhe klasifikohet zyrtarisht në dokumentet shtetërore si qytet. Gëzimi se Shqipëria u bë një vend urban, ndoshta është i tepruar.

Top Channel