“Enver Hoxha” na kënaqi të gjithëve(!)

24/12/2011 00:00

Jani Duri – E kam fjalën për “Librin”, jo për Enverin, se Ai nuk na kënaqi dhe aq…
Duhet sqaruar mirë kjo, se mund të lindë ndonjë keqkuptim, si atëherë në
‘91-shin, kur nxitova të botoj shkrimin: “Enver Hoxha ishim ne”, në
“Sindikalisti” (gazeta më e madhe e vitit) ku m’u vërsulën gjithë ç’qenë
të vetëquajtur demokratë, për të më thënë se Enver Hoxha nuk ishim ne.

Se ne, gjatë gjithë kohës kemi qenë kundër tij, se kemi luftuar kundër tij, se nuk e kemi dashur kurrë dhe kurrë nuk kemi punuar për të…Jo, jo, jo absolutisht.

Ne nuk kemi qenë sahanlëpirës …

Dhe ishin ata që u korruptuan të parët nga qeveria demo(n)kritike, e cila i bleu shpejt e shpejt me ca prona publike…

Epo mirë, në rregull. Tani mund të buzëqesh, po atëherë ky shkrim u bë shkak të na shikonin shtrembër në BSPSH, mua bashkë me kryeredaktorin Vangjel Kozma, aq sa na bënë të largohemi vetë  nga gazeta duke zbatuar parimin: ”Më mirë në një ferr të mençur, se sa në një parajsë hajvane”. Dhe pak më pas, kur gjithë gazetarët e “Sindikalistit” u nderuan me titullin “Pishtar i Demokracisë”, mua, që kisha qenë kryetar i këshillit botues, më fshinë nga lista (dhe mirë bënë). Them se djegësira e atij shkrimi kishte kërcyer shumë me lart nga ç’kujtoja.

Tani, pra 20 vjet më vonë, doli libri “Enver Hoxha” (nuk ishim ne), jehona e të cilit ma kujtoi edhe njëherë idenë e pakuptuar të atij shkrimi të hidhur, ku ndër të tjera thuhej se, për sa kohë do të ishim servilë, kokëtrashë e të pakulturuar, diktatorë të tjerë do vinim mbi krye dhe se vetëm ata që kishin luftuar diktaturën, kishin të drejtë të thoshin: ”Jo, Enver Hoxha nuk ishim ne”.

Kanë kaluar njëzet vjet dhe mjaft e përdorëm figurën e diktatorit si flamurin e kuq të toreadorit për t’u mbrojtur prej demit se ja, tani ka dalë libri bunker, “Enver Hoxha”. Alamet libri! Pasha qitap!

E merr, e lexon dhe bindesh përfundimisht se ti nuk kishe asnjë faj për çfarë ndodhi në këtë vend. Sepse të gjitha fajet i kishte Enveri.

Ai të tha se, po të ishte për ty…po të mos ishte Ai…as ti nuk do ishe ai që ishe. Ai të tha t’i marrësh tjetrit pronën, ai të tha të spiunosh vëllanë, ai të tha të burgosesh të pafajshëm, ai të tha të pushkatosh antikomunistët, ai të tha të prishësh kisha e xhami…Kurse ti vetëm sa i bëre pak…ja ashtu sa për t’ua sterrosur jetën shqiptarëve të tu.

Mbaje librin mbi bufe, vendose mbi tryezën e zyrës, mbi tryezën e bukës dhe bjeri me dorë. Ja, thuaju kolegëve të rinj, ja, thuaju bijve, nipërve dhe mbesave, ja, kush e kishte fajin: Ky këtu. Ishte shumë i keq. Aq i keq, sa kur të thoshte fute brenda këtë ose pushkatoje atë dhe ne e bënim, kishim frikë se mos nuk e kishim bërë edhe aq mirë. Edhe ata që shkruanin libra, edhe ata që bënin drama apo filma, edhe ata që bënin këngë për të, edhe ata që parakalonin para tribunave të kuqe, kishin frikë se mos nuk po e hidhnin edhe aq mirë hapin sipas daulles së tij. Kaq i keq ishte Ai! Bile, më i keq se kaq, sepse nuk të fuste kurrë në partinë e tij pa iu lutur ti vetë dhe pa bërë nja dy vjet stazh në punë të rënda.

Dhe kështu bijtë e bindur të etërve të bindur do të jenë gjithmonë gati t’i binden kujtdo tjetër që do t’i rreshtojë e urdhërojë, sepse përsëri do të dalë një libër me një fajtor të ri për të cilin ata do të thonë: Ja, ky i kishte të gjithë fajet. Dhe pas daljes së këtij libri, të gjithë do ta ndiejnë veten të pafajshëm dhe të kënaqur.

Gazeta “Shqip”

Top Channel