Çudia shqiptare, popullata ulet, votat rriten

23/12/2011 08:10

Popullata e pranishme në Shqipëri ka rënë me 7.7 për qind gjatë dhjetë viteve të fundit, por votat e hedhura në zgjedhje çuditërisht janë rritur me 18.6 për qind, raportoi gazeta “Shqip” gjatë së premtes.

Lajmi bëhet i ditur nga një ballafaqim i të dhënave të censusit të popullatës dhe banesave, që u publikuan të mërkurën dhe rezultateve zgjedhore të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Kështu, rezulton se në Shqipëri, në vitin 2001, banonin 3.07 milionë njerëz, nga të cilët rreth 1.1 milionë qenë nën moshën 18 vjeç.

Nga popullata mazhorene prej 1.8 milionë vetë, në zgjedhjet e qershorit 2001 morën pjesë 1.3 milionë vetë ose rreth 72 për qind e popullatës rezidente. Censusi i vitit 2001 u zhvillua në prill, ndërsa zgjedhjet u mbajtën në qershor.

Në vitin 2011, në Shqipëri rezultuan se banonin 2.83 milionë vetë. Nuk ka ende të dhëna se si ndahet kjo popullatë sipas grupmoshave, por nga të dhënat e INSTAT-it, gjatë viteve të fundit, afro 32 për qind e popullatës shqiptare është minorene, e nxjerrë kjo nga të dhënat e regjistrave civilë dhe nga censusi i vitit 2001.

Ka arsye të besojmë se përqindja e minorenëve është edhe më e madhe për shkak se emigrimi i rreth 400 mijë vetëve gjatë dekadës së fundit ka prekur më së shumti maxhorenët dhe jo minorenët.

Megjithatë, duke marrë për bazë faktin se në Shqipëri 32 për qind e popullatës është pa të drejtë vote, rezulton se këtë maj, kur shqiptarët votuan për pushtetin vendor, në vend kishte 1.9 milionë shqiptarë, nga të cilët, 1.57 milionë ose 83 për qind e “shkundën” votën.

Kjo përqindje votuese është tepër e lartë për vendet demokratike, ku shumë shpesh njerëzit humbasin besimin te sistemet zgjedhore, por ka edhe më keq.

Gjirokastër, 110 për qind

Qarku i Gjirokastrës ka 159 mijë vetë të regjistruar në Drejtorinë e Gjendjes Civile, por në censusin e tetorit popullsia banuese qe 75 mijë vetë. Pjesa tjetër mungoi. Nga këta 75 mijë vetë, rreth 24 mijë ka gjasa që nuk e kanë mbushur moshën për të votuar dhe popullata maxhorene e pranishme rezulton 50 mijë vetë.

Problemi është që në zgjedhjet e vitit 2009, në këtë qark u hodhën 52 mijë vota, ndërsa në zgjedhjet e këtij viti, u hodhën 57 mijë vota, ose më shumë se 100 për qind e popullatës së pranishme.

Mundet që një pjesë e emigrantëve të jenë kthyer për të votuar ditën e zgjedhjeve, por kjo nuk justifikon dot mijëra vota më shumë. Sikur në ditën e zgjedhjeve të jenë kthyer 6 mijë njerëz vetëm për të votuar, sërish rezulton se pjesëmarrja ka qenë 100 për qind.

Vlora e Korça nuk mbeten pas

Në Qarkun e Vlorës ka 370 mijë banorë sipas regjistrit civil, por gjatë censusit rezultoi se popullata banuese qe 184 mijë vetë. Duke marrë parasysh se një e treta janë më pak se 18 vjeç, popullata maxhorene rezulton rreth 124 mijë vetë, ndërsa në zgjedhjet e tetë majit, në këtë qark u hodhën 117 mijë vota.

Pjesëmarrja në votime rezulton 94 për qind. Në Qarkun e Korçës ndodh e njëjta gjë. Ka 353 mijë vetë të shënuar në regjistër dhe 220 mijë vetë të numëruar nga censusi. Në zgjedhjet e vitit 2009, këtu votuan 134 mijë vetë, ndërsa në zgjedhjet e vitit 2011 votuan 136 mijë vetë.

Rruzhdijet e Shqipërisë

Në vitin 2009, një fshat i vogël në Fier u bë simbol i demokracisë shqiptare. Komisionerët e qendrës së votimit lejuan votimin e përsëritur të disa njerëzve në emër të fshatarëve të emigruar.

Në listën e zgjedhësve në këtë fshat kishte 590 votues dhe në kutinë e votimit u gjendën 512 vota. Komisionerët u kapën dhe u dënuan. Por, ka shumë gjasa që të mos jenë të vetmit që votojnë edhe për llogari të emigrantëve duke i mbushur kutitë.

Si rregull, sa më e thellë të jetë komuna, aq më e lartë rezulton pjesëmarrja në zgjedhje, ndërkohë që emigrimi ecën në krah të kundërt, sa më e thellë të jetë komuna, aq më i lartë është emigrimi. Në disa komuna të Qarkut të Kukësit rezulton se marrin pjesë në votime mbi 70 për qind të njerëzve të pranishëm në listë, ndërkohë që popullata në këtë qark është ulur ndjeshëm.

Top Channel