Insitucionet shqiptare duhet të japin brenda 10 ditësh opsionet e tyre përfundimtare për rishikimin e masave, në bazë të të cilave do të zbatohet plani i veprimit mbi 12 rekomandimet e Komisionit Europian për Shqipërinë.

Këto rekomandime janë të rëndësishme, pasi vlerësimi i përmbushjes ose jo të tyre do të përcaktojë nëse Shqipëria do të marrë statsuin e vendit kandidat.

Duke theksuar bashkëpunimin e kohëve të fundit me opozitën, ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu vë në dukje se në fakt rekomandimet nuk janë më 12, por 10, pasi 2 prej tyre, zhvillimi i zgjedhjeve lokale dhe zgjedhja e Avokatit të Popullit, cilësohen si të kryera, ndërsa rekomandime të tjera janë në proces.

Por a është e mundur që me këtë ritëm, Shqiperia të mund të marrë vitin e ardhshëm statusin e vendit kandidat?

“Besoj se, nëse cdo gjë arrin të realizohet brenda periudhës së pranverës, të gjitha mundësitë e tjera janë më të afërta se kurrë. Është këshilli i qershorit, apo është këshilli i dhjetorit, a do të bëhet publik ky vendim me paketën e tetorit të vitit që vjen, këtë nuk mund t’ua them unë, sepse nuk e vendos dot unë axhendën e Komisionit Europian dhe axhendën e Këshillit Europian”, deklaron Bregu.

“Por e rëndësishme është që ne na takon që të plotësojmë detyrimet tona. Në momentin që Shqipëria tregon që po realizon detyrimet që ka marrë përsipër, atëherë ky është një proces që lehtësisht do të mbërrijë në datën më të shpejtë të mundshme për komisionin”, nënvizon ministrja e Integrimit.

Shqipëria ka në proces konkret zbatimi edhe rekomandimet për miratimin e ligjeve me 3/5, reformën zgjedhore dhe atë parlamentare. Por për ecurinë e të gjitha rekomandimeve dhe planit të rishikuar të veprimit, që do të miratohet në komisionin parlamentar të integrimit, Shqipëria do të raportojë në muajin shkurt në Bruksel.

Nëse gjithcka shkon mirë dhe bashkëpunimi mes mazhorancës dhe opozitës do të jetë i qendrueshëm, marrja e statusit kandidat përpara festimit të 100-vjetorit te Pavarësisë do të ishte një parashikim realist.

Top Channel