Nota nostalgjie, por edhe një premtim për t’u takuar sërish në të
ardhmen, në të tjera pozita. Dhe një mesazh i fortë për rotacionin
politik, si element i shëndetit të demokracisë.

Ky ishte thelbi i fjalimit të Presidentit të Republikës Bamir Topi në takimin e fundvitit me gazetarët.

“Besoj se në ritualin e këtyre takimeve, ky i sivjetshmi padyshim që është i fundit në cilësinë time si President, pasi, sot një vit, dikush tjetër do të jetë në këtë pozicion institucional. Kam qenë gjithmonë inkurajues i këtyre rrotacioneve të natyrshme, sidomos i një shoqërie si e jona që, për shkak të specifikave, vende që dalin nga izolime të thella në një tranzicion ndoshta të vështirë, nga ana tjetër, vende si i yni kanë patur një zhvillim dinamik shumë të fortë. Dhe kjo e ka shoqëruar jetën e politikës, jetën e institucioneve shqiptare dhe të medias gjithashtu.Unë do ju falënderoja përzemërsisht për të gjithë atë komunikim qytetar që kam pasur me ju! T’ju falënderoj për këtë mision të vyer që ju keni demonstruar”, u shpreh Topi.

Mes përlotjes së ndonjë këshilltari dhe emocioneve të të tjerëve, Presidenti u bëri thirrje mediave të lënë mënjanë militantizmin politik. Duke përmenduar me kujdes televizionin publik, që të dukej më shumë kritik sesa paqtues:

“Njerëzit sot kërkojnë një media vërtet të lirë, të pavarur, duke filluar së pari nga institucioni që e ka detyrim kushtetues, Radio-Televizioni Publik Shqiptar. Është hera e parë ndoshta që unë e marr në konsideratë këtë fakt, nuk do të bëj absolutisht asnjë lloj kritike, sepse në këtë atmosferë patjetër ne duhet që të përshëndesim njëri-tjetrin, por një element edhe mund ta hedhim për t’i shërbyer më shumë vitit që vjen që ky Televizion, i cili është një institucion tradicional shumë i fortë nga pikëpamja e emrit, por edhe infrastrukturës, por edhe i kontigjentit të gazetarëve, të cilët i përshëndes, duhet që të bëhet më i besueshëm për publikun. E kanë detyrim kushtetues, por nga ana tjetër duhet ta demontrojnë që ëshë një televizion i të gjithë shqiptarëve, pavarësisht nga orientimi, pavarësisht nga pakënaqësitë që kanë për dikë, pra, të jetë një radiotelevizion që duhet të jetë në një farë mënyre edhe pikë referimi për të tjerët”, tha Presidenti.

Një përshëndetje e vecantë, ndonëse e pathënë hapur, ishte për mbulimin mediatiak që iu bë protestës së 21 janarit, ku humbën jetën katër persona. Ngjarje, për të cilën presidenti u etiketua nga kryeministri si ‘horr i bulevardit’.

“Dëshiroj të përshëndes të gjithë ata gazetarë, të cilët kanë ndjekur sidomos gjatë vitit 2011 ngjarje që kanë qenë shumë intensive në Shqipëri. I kanë ndjekur me shumë guxim, me shumë trimëri. Them fjalën trimëri se janë futur në ato mjedise ku dikush ka ngrënë dhe plumba. Pra, gazetarë të cilët meritojnë të vlerësohen, të cilët meritojnë patjetër që të promovohen dhe unë dëshiroj që nga pozicioni i Kryetarit të Shtetit t’ju inkurajoj në të gjithë misionin tuaj”, tha Topi.

Pas fjalës Presidenti trokiti gotat me të gjithë të ftuarit e tij. Në fund u vu në dispozicion të gazetarëve që dëshëronin të fiksonin një foto të fundit me Bamir Topin, si president. Rast që të gjithë gazetarët e shfrytëzuan.

Top Channel