Eurodeputetja e djathtë, Monica Macovei, ish-Ministre e Drejtësisë në Rumani, e njohur për plotësimin e reformës së gjyqësorit çfarë mundësoi anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian, shpjegon për Top Channel përse lufta ndaj korrupsionit duhet të nisë së pari me gjyqësorin.

Monica Macovei, Eurodeputete rumune, PPE: Kryeprioriteti, kur trajton luftën ndaj korrupsionit dhe reformën e gjyqësorit, është të luftosh korrupsionin brenda sistemit gjyqësor. Kjo është nga përvoja ime, meqënëse jam marrë me disa proçese të zgjerimit. Kjo bëhet edhe për shkak se, edhe nëse do të ekzistonin prokurorë të mirë, të cilët i ngrenë mirë çështjet dhe i kalojnë ato më pas në gjyqëtarë të korruptuar, apo në lidhje miqësie të përfshirë e kështu me radhë, atëherë këto cështje do ishin të shkatërruara. Kjo ka të bëjë shumë me besimin e njerëzve, sepse në shumë raste të ndryshme, edhe për çështje tregtare, toke, prone, për çfarëdolloj çështje, njerëzit do të përplasen me sistemin gjyqësor. E nëse ka korrupsion në gjyqësor, atëherë asgjë nuk ka për të funksionuar siç duhet. Prandaj kjo duhet të jetë përparësi.  
 
Vetëm pas pastrimit të gjyqësorit mund të zhduket pandëshkueshmëria, argumenton Macovei, eksperte në fushën e drejtësisë dhe luftës ndaj korrupsionit.  
 
Macovei: Së pari duhen dënime. Siç e thashë ka mjaft raste kur politikanët hetohen e i kalojnë gjykatës, ku për 3,4,5 vjet nuk ndodhë asgjë. Ky është rasti edhe për Kroacinë, Rumaninë, ju e vende të tjera. Duhen dënimet. Prandaj them që duhet pastruar drejtësia. E rastet e politikanëve janë test për drejtësinë, sepse në rast të një individi të zakonshëm dënimi apo vendimi do të merrej lehtë e shpejt. Ama politikanët janë test për gjyqëtarët sepse këtu nis ose jo të bjerë telefoni, jo për ju, e as për ndonjë nga miqtë tuaj.      
Pandëshkueshmëria është e kundërta e rendit ligjor, që thotë se ligji zbatohet njësoj ndaj cilitdo. Për këtë arsye, kur ekziston pandëshkueshmëria, për çfarëdolloj motivi qoftë, atëherë aty nuk sundon ligji. Si rezultat, njerëzit humbasin besimin tek gjyqësori, meqënëse ligji, apo sistemi i fajësimit, do të aplikohej ndaj teje, por jo ndaj dikujt tjetër.Pra, është kundër rendit ligjor. Është pikërisht ky rasti. Politikanët dërgohen para drejtësisë. Nëse gjykata është jo efiçente ose ka gjyqtarë e korruptuar, atëhere nuk do të shohim dënime, nuk do t’i shohim këta politikanë që të dënohen. Ky është një argument shtesë që përforcon atë që po them, e që e përjetuam në Rumani për shembull. Politikanët shkonin deri në gjykatë, pra ne kishim prokurorë të mirë, mirëpo pastaj dosjet rrinin tek gjyqëtarët për 5 apo 7 vite, pa dhënë një dënim. Patëm gjithashtu raste të korrupsionit në Gjykatën Supreme, ndërmjet gjyqëtarëve, që kishin po ashtu lidhje me politkën. Ndaj e theksoj se për të patur garanci që çështjet, përfshirë dhe ndaj politikanëve gjithashtu, do të zgjidhen drejtë, pavarësisht dënimit, do të zgjidhen vërtetë bazuar në evidenca, atëherë duhet pastruar së pari gjyqësori. Kjo do të thotë të luftohet korrupsioni në gjyqësor; të çlirohet sistemi nga të korruptuarit apo gjyqtarët jo-efikas, e më pas puna vijon mirë.

Pastrimi i gjyqësorit i ngarkohet si detyrë Këshillit të Lartë të Drejtësisë, e Macovei shpjegon pse kjo lloj strukture në vendet post-komuniste ka rezultuar e dështuar.

Macivei: Këtë e bëni përmes organeve të disiplinës që me siguri tek ju, ashtu si edhe në vendet e tjera ish-komuniste, emërtohen Këshill Drejtësie. Ata duhet të jenë të detyruar me ligj për të pastruar gjyqësorin. Por këto Këshilla Drejtësie janë një dështim për të gjitha vendet post-komuniste. Pra, ata janë të ngarkuarit për pastrimin e gjyqëtarëve. Për shembull, nëse disa prokurorë apo gjykatës nuk plotësojnë brenda afatit kohor deklaratën e pasurisë, del jashtë. Nëse ata mbajnë një dosje për më shumë se një vit, pa deklaruar vendime siç meritohet, jashtë. E kështu me radhë, nëse nuk e publikojnë menjëherë gjykimin e tyre, jashtë. Pra, këtu nuk flasim për përgjegjësi penale apo materiale, por i shkarkon ata, në mënyrë që të bëjnë një punë tjetër krejt të ndryshme, sepse ne kemi vepruar në mënyrë të gabuar. Në fillim duhet të kishim testuar se kush ishin këta njerëz, e më pas t’u kishim dhënë atyre të gjitha këto garanci për pavarësinë, mandate të pakufizuara e me radhë. Mos harroni se emërimet e pakufizuara dhe pavarësia ecën dorë për dorë me llogaridhënien, dhe mos harroni se “pavarësia e gjyqësorit” nuk u jep të drejtën gjyqëtarëve që të bëjnë ç’të duan ata, por është e drejta e njerëzve për të pasur një gjyqësor të pavarur, ndaj nevojitet të japin llogari.

Në Rumani, Monica Macovei nisi karrierën e saj si prokurore. Ajo u angazhua më pas në shoqërinë civile, si eksperte në Komitetin e Helsinkit dhe në Këshillin e Europës. Megjithëse nuk ishte anëtare e ndonjë partie politike, ajo u emërua Ministër Drejtësie. Përpara se të zgjidhej eurodeputete e PPE-së, Macovei punoi pranë qeverisë maqedonase si këshilltare për anti-korrupsionin.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel