Censusi, shifrat e dyshimta?

22/12/2011 19:50

Rezultatet e censusit për reduktimin e numrit të popullsisë që jeton në Shqipëri ishin suprizë edhe për vetë ekspertët e statistikave.

Milva Ikonomi, e cila ka drejtuar regjistrimin e popullsisë në vitin 2001, thotë se bazuar në rezultatet e atij viti dhe shtesën natyrore të popullsisë në këto dhjetë vjet, si diferencë mes lindjeve dhe vdekjeve, numri i popullsisë duhet të ishte shumë më i lartë

”Nga censusi i fundit na mungon një popullatë prej 14,2% e popullsisë, ose një numër i barazvlefshëm me 470 mijë individë”, shprehet Ikonomi.

Por, ku kanë shkuar këta shqiptarë?.  INSTAT tha se rënia e popullsise ndodhi per shkak te ujes se lindshmerive dhe rritjes se emigracionit. Por, Zonja Ikonomi  ka nje arsye tjeter qe lidhet me numrin e individeve qe  kane refuzuar te regjistrohen dhe per te cilet INSTAT tha se jane 29 300 vete.

”Praktikat e ndjekura nga regjistruesit ishin marrja në pyetje e një gojë familjari dhe jo e çdo individi. Shifra prej 29 300 personazh që refuzuan të regjistrohen, po të shumëzohet për mesataren e personave të një familjeje në Shqipëri, bën të mendohet se janë mbi 119 mijë banorët që s’kanë marrë pjesë në census”.

Por, ish-drejtoresha e INSTAT konfirmon  se  arsyeja kryesore e tkurrjes së popullsisë shqiptare që jeton në Shqipëri është emigracioni: “Popullsia po pakësohet dhe arsyet lidhen kryesisht me emigracionin. Sidoqoftë, sado të jetë numri i refuzimeve, ai nuk justifikon dot këtë mungesë të popullsisë”.

Rezultatet e censusit të një dite më parë treguan se numri i popullsisë ka rënë me 7.7 për qind krahasuar me vitin 2001.

Top Channel