KESH, 110 milionë euro borxh te bankat

21/12/2011 08:00

Kuvendi i hap dritën jeshile korporatës të vijojë importet e energjisë elektrike për muajt e ardhshëm, duke miratuar aktin normativ të buxhetit për garancinë 4.5 miliardë lekë.

Gazeta ‘Shqip’ publikon se në raport me nevojat e KESH-it, garancia prej 30 milionë eurosh nuk vlen as për një muaj, pasi vetëm në dhjetor, korporata ka shpenzuar për blerje të energjisë rreth 44 milionë euro. Mes debateve të shumta, mazhoranca mundi të kalonte projektin, ndërsa opozita e ka ngritur shqetësimin e krizës energjetike dhe ndikimeve në ekonomi nga rritja e borxheve.

Ministria e Financave pranon situatën kritike të korporatës të shkaktuar edhe nga borxhet që CEZ ka ndaj KESH, me vlerë 7.5 miliardë lekë  dhe që nuk po ia shlyen. “Gjendja aktuale është krijuar për dy arsye: e para, mungesa e reshjeve dhe domosdoshmëria e importit të energjisë, të kërkuar nga CEZ, ndërsa e dyta, mungesa e faturave të furnizimit me energji të CEZ ndaj KESH, detyrim i cili deri tani ka arritur në 7.5 miliardë lekë”, tha zëvendësministri i Financave, Alfred Rushaj. Sipas KESH, është e detyruar të blejë energji elektrike që kushton mjaft shtrenjtë në oraret e pikut, deri në 100 euro për megavat, ndërsa në kohë normale, arrin në 65 euro për megavat.

Thatësirën po e vuajnë edhe vendet e rajonit, të cilat janë në kërkim të burimeve energjetike, e për rrjedhojë edhe çmimet e importit janë rritur. Korporatës do t’i duhen për vitin tjetër (2012) të importojë gati 1.7 miliardë kilovat, me kosto deri në 100 milionë euro, ndërsa sakaq ka te bankat 100 euro të tjera të marra për nevojat e emergjencës.

Komisioni Parlamentar i Ekonomisë e miratoi mbështetjen financiare, por nga ana tjetër nuk munguan debatet. Anëtari demokrat, Flamur Noka, pranoi se situata është tejet emergjente dhe se korporata duhet ndihmuar, pavarësisht nëse jepet ndikim te borxhet, por socialisti Arben Ahmetaj reagoi duke thënë se akti normativ dëshmon dështimin e sistemit energjetik për shkak të keqmenaxhimit.

Thatësira e gjatë prej disa muajsh ka ulur prurjet në kaskadën e lumit Drin, ndërsa prodhimi nuk garanton dot konsumin, i cili ndodhet në kuotat e 24 milionë kilovatëve, ku 17 milionë sigurohet nga importet e CEZ dhe KESH. Kjo e fundit mban barrën më të rëndë dhe ka nisur të blejë energji që në muajin prill të këtij viti, ndërsa periudha e artë e eksporteve është ndërprerë që në muajin janar.
 
Për të realizuar pagesën e faturave të energjisë elektrike të importuar gjatë periudhës prill-tetor, KESH ka shpenzuar rreth 44.2 milionë euro. Rritja e kërkesës për energji ka detyruar korporatën të importojë me çmime tregu që janë më të larta se kostot e prodhimit nga hidrocentralet e KESH-it. “Në këtë situatë ndërmarrja është e detyruar të aktivizojë overdraftet, që e rëndojnë edhe më shumë gjendjen financiare të kësaj shoqërie, pasi detyrimi katual ndaj bankave të nivelit të dytë arrin në 106 milionë euro”, deklaroi dje në komision, Alfred Rushaj.

Për muajt nëntor-dhjetor 2011, me qëllim sigurimin e plotë të energjisë elektrike së kërkuar nga CEZ për konsumatorët, KESH ka importuar përkatësisht për nëntorin sasinë 340,000 megavat, me vlerë tregu 22.8 milionë euro, ndërsa për muajin dhjetor sasi prej 411 mijë megavatësh, me vlerë 44 milionë euro.

Top Channel