Do të ulen temperaturat

21/12/2011 00:00

Temperatura edhe më të ulëta na presin të enjten. Sipas meteorologëve,
termometri do të zbresë me 2-3 gradë celsius të tjera në zonat
bregdetare dhe ato të ulëta,ndërkohë që më e ndjeshme është zbritja në
zonat malore.

Reshjet e dëborës do të vazhdojnë dhe ato priten të jenë më intensive në 24 orët e ardhshme.

Reshjet e shiut do te rikthehen sërish në orët e pasdites të së dielës. Ndërkohë që fillimi i javës do të na sjellë dhe rritje graduale të temperaturave.

Moti i keq përfshin vendin

Moti i keq me reshje të dendura bore ka përfshirë të gjithë vendin. Në Bulqizë, komunat Ostren, Martanesh dhe Zerqan ka probleme me rrugët si pasojë e borës.

Trashësia e borës ka arritur deri në 15 centimetra, ndërsa temperaturat në -2 gradë Celsius.

Në Elbasan, mjetet e rënda po punojnë për zhbllokimin e akseve rurale nga bora, ku probleme kanë sidomos rrugët dytësore Elbasan-Gjinan dhe Dorëz-Qarishtë.

Mot i keq dhe në Gjirokastër, ku trashësia e borës në zonat malore arrin në 20 centimetra. Probleme me qarkullimin në komunat Zagori, Buz dhe Frashër për shkak të bores.

Nga moti i keq dhe reshjet është shkatërruar plotësisht ura që lidh komunat Buz e Ballaban. Kjo gjë ka lënë pa mësim nxënësit e shkollës së mesme në Ballaban.

Është bllokuar qarkullimi në Qafën e Llogarasë nga reshjet e dendura të bores. Reshjet që kanë rënë gjatë natës kanë bërë që policia të mos lejojë mjetet të kalojnë.

Top Channel