Censusi, pakësohen shqiptarët

21/12/2011 00:00

Instituti i Statistikave shpalli rezultatet paraprake të Censusit, të
cilat tregojnë se numri i popullsisë që jeton në Shqipëri ka shënuar një
rënie jo të vogël në dhjetëvjecarin e fundit.

Rezulton që popullsia e Shqipërisë për vitin 2011 të jetë 2.851.741 banorë duke shënuar një rënie prej 7.7 përqind krahasuar me vitin 2001.

INSTAT sqaron se tek ky numër i popullsisë janë përfshirë edhe ata të huaj, të cilët kanë më shumë se 1 vit që jetojnë në Shqipëri dhe që gjatë anketimit kanë deklaruar, se kanë ndër mend të vazhdojnë të jetojnë këtu. Sipas INSTAT edhe struktura e popullsisë sipas zonave të banimit, që ka qenë gjithmonë e dominuar nga popullsia në zonat rurale, tashmë është përmbysur. Kështu për herë të parë në histori 53.7 përqind e popullsisë jeton në qytet dhe 46.3 përqind në fshat.

Rezultatet tregojnë se edhe numri i banesave në Shqipëri ka arritur në 1 milion e 75 mijë ose 37 për qind më shumë se në 2001.

Sipas INSTAT, Censusit kanë refuzuar t’i përgjigjen 29.300 vetë ose 1.04 përqind. Këto janë vetëm rezultatet paraprake, pasi në vijim INSTAT do të shpallë edhe të dhënat e tjera përfshirë dhe atë të përkatësisë etnike dhe fetare, rezultatet e të cilës pritet të publikohen nga fundi i vitit të ardhshëm. Censusi u përshëndet edhe nga përfaqësuesit e Bashkimit Europian, të cilët e quajtën atë si një proces që përmbushi rekomandimet e Eurostat dhe Kombeve të Bashkuara.

Aleanca Kuq e Zi reagoi pas publikimit të rezultateve të Censusit nga INSTAT, duke theksuar se me këto shifra u përmbush dëshira e Greqisë dhe Serbisë.

“Shqiptarët janë popullsia më e lartë në rajon me rreth 10 milionë banorë, ndërsa INSTAT nxorri të kundërtën. Këto të dhëna dëmtojnë interesat e shqiptarëve”, thuhet në reagimin e Aleancës.

Ndërkohë në mbledhjen e qeverisë kryeministri Sali Berisha foli për rezultatet e Censusit.

“Këtë 10-vjecar ka ndodhur kapercimi i madh. Kombi ne Shqiperi faktohet komb urban. Sigurisht, ky eshte nje proces i realizuar me shpejtesi, por i realizuar ne liri. I kuptoj te gjitha zhurmat dhe kritikat, por zhvillim me te madh se ky, per kombin, ne rrafshin social, nuk ka. Nayrisht cdo levizje e tille e madhe demografike, e pashmangshme qe krijon problemet e e veta, por fuqizimi i qyteteve si lokomotiva te zhvillimit superon te gjitha pasojat dhe ky eshte zhvillimi me pozitiv”, tha Berisha.

Top Channel