Një burg për të sëmurët mendorë

18/12/2011 15:05

Ndërtesa që njihet si burgu i Krujës do të kalojë në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë dhe nuk do jetë më një vend i vuajtjes së dënimit, por një spital psikatrik ku do trajtohen të dënuarit e sëmurë mendorë për të cilët është vendosur mjekimi i detyruar.

Gjatë një interviste për Top Channel, drejtori i pergjithshem i burgjeve, Gazmend Dibra, publikoi ndryshimin në infrastrukurën e sistemit penitenciar, ku mes 4750 personash të burgosur, 331 prej tyre janë me çrregullime mendore.

“Fjala është për të sëmurë mendorë me mjekim të deyruar. Është një kategori brenda të sëmurëve që normalisht nuk duhet të trajtohet në sistemin e burgjeve. Pikërisht ligji për të sëmurët mendorë e zgjidh këtë problem. Pra, nuk do jetë më Ministria e Drejtësise, por do jetë Ministria e Shëndetësisë. Vitin tjetër është parashikuar në buxhet ana administrative. Ajo që ne kemi burg në Krujë, do kthehet në spital. Pra, folëm për të dënuarit me mjekim të detyruar. Ndërkohë që për të dënuarit me probleme të lehta mendore, ata do trajtohen në spitalin e burgut apo në spitalin e burgut të Durrësit”, u shpreh Dibra.

Zyrtari i burgjeve deklaron se në fillim të muajit dhjetor është nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi midis Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Drejtësisë ku të dënuarit dhe të paraburgosurit do të përfitojnë nga ligji i sigurimeve shëndetësore.

“Ka nga ata të dënuar që vijnë me probleme, ka të tjerë që sëmuren gjatë trajtimit këtu në burg . E para është futja në skemën e sigurimeve shëndetësore të këtyre të dënuarve . Është një vendim i Këshillit të Ministrave që fillon nga zbatimi në fillim të vitit tjetër. Ndërkohë, është përgatitur ligji që do zgjidhë gjithë gamën e kësaj problematike”, shtoi Dibra.

Zyrtarisht nga Drejtoria e Burgjeve raportohet se për trajtimin me medikamente të të sëmurëve mendorë nga buxheti i shtetit gjatë vitit 2011, është shpenzuar një fond prej rreth 5 milionë e 900 mijë lekë të reja.

Top Channel