Tjetër tragjedi në minierën e Bulqizës

17/12/2011 20:25

S’kanë të ndalur ngjarjet tragjike në minierat e kromit në Bulqizë. Pasditen e së shtunës, një 43-vjecar humbi jetën nën tokë pasi galeria ku po gërmonte është shembur duke e zënë nën vete.

Ngjarja ndodhi në galerinë e një kompanie të licensuar për të punuar në zonën D rreth 3 mijë metra nga hyrja e galerisë.

Viktima është Bajram Dalipi, Ai është baba i katër fëmijëve.  Ai disa orë pas ngjarjes tragjike është nxjerrë nga nëntoka nga Reparti i Kërkim-shpëtimit të Minierave.

Trupi i tij është dërguar direkt në morg, ndërsa policia nisi hetimet për aksidentin. Ky është rasti i tretë brenda 2 muajve kur minatorët humbin jetën.

I pari ishte Naim Shyti, 38 vjec që humbi jetën nga shpërthimi gazit në një galeri të kompanisë ACR në ditën e parë të punës pas disa muajsh protestash, 8 të tjerë u plagosën.

Viktima e dytë është Fetah Shehu, 56 vjec i cili humbi jetën në zonën D, sërish në këtë zonë ndodh një tjetër aksident i rëndë.

Në vitet e fundit janë me dhjetra minatorët që kanë humbur jetën nën tokë duke nxjerrë krom vetëm për shkak se kompanitë vendase dhe ato të huaja koncesionare nuk kanë plotësuar kushtet e sigurisë, apo inevstimet që kanë të bëjnë me mbrojtjen e jetës së minatorëve dhe përmirësimin e kushteve të punës së tyre.

Top Channel