Provimi i shtetit, MASH, bashkëbisedim me kandidatët

17/12/2011 00:00

Rreth 1500 studentët e porsadiplomuar në fakultetin e Mjekësisë për
degët farmaci, stomatologji, infermieri dhe mjekësi e përgjithshme janë
njohur me procedurat e provimit të shtetit, i cili nis në datën 16
janar.

E organizuar në formën e një bashkëbisedimi në ambientet e Fakultetit të Infermierisë, drejtues të Agjencisë Kombëtare u kanë shpjeguar kandidatëve se për të hyrë në provim duhet të pajisen me katër dokumenta pa të cilët hyrja është e pamundur.

Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Provimit të Shtetit, Niko Terezi ka theksuar se janë marrë të gjitha masat që ky provim të zhvillohet në bazë të standardeve bashkëkohore.

Gjatë bashkëbisedimit, kandidatët për provimin e shtetit kanë konsultuar me ekspertët e provimit të shtetit, testin e publikuar online.Në datën 2 të këtij muaji, kandidatët për provimin e shtetit u njohën me 3 mijë pyetjet prej të cilëve në testin përfundimtar do të jenë vetëm 50.

Sipas Ministrisë së Arsimit, të parët që do të hyjnë në provimin e shtetit në datën 16 janar janë 108 studentët e stomatologjisë.

Për fazën e parë të provimit të shtetit janë regjistruar vetëm studentet e Fakultetit të Mjekësisë, 540 të degës së farmacisë, 150 mjekësi e përgjithshme, 108 stomatologë dhe 250 studentë të infermierisë.
 

Top Channel