“Të ndryshojë sistemi zgjedhor”

15/12/2011 17:30

Partitë e vogla kanë shprehur pakënaqësitë në adresë PD dhe PS për mënyrën se si ka nisur procesi i reformimit zgjedhor.

Kreu republikanëve Fatmir Mediu krahas rëndësisë së zbatimit të 12 rekomandiomeve të OSBE-ODIHR-it e vë theksin në ndryshimin e sistemit zgjedhor.

“Ky është një komision politik  që duhet të analizojë cështjet që kanë të bëjnë me procesin zgjedhor në Shqipëri dhe kur flasim për reformë zgjedhore duhet të prekë të gjitha aspektet që janë të nevojshme për të garantuar votën e qytetarëve shqiptarë, që të jetë një votë e lirë, e numëruar drejt, por dhe e përfaqësuar drejt në Kuvend. Ne kemi vuajtur nga një fenomen i ‘Dushkut’, i cili transferonte votat e partive të mëdha tek partitë e vogla, dhe sot vuajmë nga një fenomen i kundërt; partitë e mëdha marrin votat e partive të vogla. E kam thënë, 20 përqind e votuesve shqiptarë nuk janë të përfaqësuar në Kuvendin e Shqipërisë, janë rreth 25 deputetë që duhet të dilnin me mandate nga ky 20 përqindësh, ku për fatin e keq janë vetëm 7, pjesën tjetër e kanë marrë partitë e mëdha pa të drejtë sipas gjykimit tim”, deklaroi kreu i republikanëve, Fatmir Mediu.

Ndërsa Vangjel Dule kryetar i  PBDNJ thekson se pavarsisht punës që do të bëjë ky komisionin, ata do të shprehin vullnetin vetëm të dy partive të mëdha.

“Gjithmonë kemi qenë të mendimit dhe të qendrimit se ky komision thjesht do të zyrtarizojë vendimet e dy forcave të mëdha politike prandaj ne e kundërshtojmë. Sistemi zgjedhor është një debat politik”, thotë zoti Dule.

Vangjel Tavo anëtar i LSI-së në Komisionin e Reformës Zgjedhore rendit disa propozime të LSI që nuk janë marrë parasysh.

“Kemi kërkuar që ky komision të punojë në bazë të një rregulloreje të posacme, pasi është dhe një komision specifik i posacëm. Nuk na është pranuar kjo kërkesë. Kemi kërkuar që mbledhjet e komisionit të bëhet të hapura me praninë e medias, ku cdo mendim e debat të jetë transparent. Edhe ky propozim i ynë u hodh poshtë nga dy forcat e mëdha politike. Në mbledhjen e dytë të komisionit ne kemi propozuar që në rend të ditës të përfshihej edhe cështja e sistemit zgjedhor dhe cështja e listave të kandidatëve për deputet. Nuk është pranuar dhe ky propozim i yni”, shprehet zoti Tavo.

Mediu, Tavo dhe Dule i druhen përsëritjes të atyre ngjarjeve të 2008-s, që shoqëruan Komisionin e Reformës Zgjedhore ku sipas tyre, u duk qarte pakti i heshtur mes PD e PS për të përjashtuar partitë e vogla.

Mediu: Di ishim naiv të thonim se është një tendencë ndryshe. Absolutisht kjo ka qenë tendenca e hershme në jetën politike shqiptare, prandaj ngre sistemin si një shqetësim primar.

Dule: Ju keni iluzion se kur kemi të njëjtët lojtarë, me të njëjtat mentalitete, me të njëjtat interesa, mund të kemi një ndryshim në produkt?!

Tavo: Shpresoj që të mos përsëritet gabimi i 2008-s , ku dy forcat e mëdha krijuan komisionin e bipartisan. Shpresoj që këtë radhë vendimet e këtij komisioni të mos merren vetëm nga dy partitë e mëdha.

Top Channel