Suksesi dhe katastrofa e Rrëshen-Kalimash

15/12/2011 08:05

Shqiptarët, pothuajse e kanë harruar segmentin Rrëshen-Kalimash, 60 kilometra autostradë mes maleve që kushtoi 1 miliard euro dhe që u pagua pothuajse tërësisht me borxhe.

Ajo rrugë u konsiderua me të drejtë si një sipërmarrje historike. Askush nuk mund të besonte në vitin 2006 në një sipërmarrje të tillë. Megjithatë ajo u bë.

Qeveria thithi gjithçka kishte para në vend, mori kredi me interesa marramendëse në tregun ndërkombëtar dhe kushtëzoi gjithçka që të kryente një përurim të pjesshëm të veprës dy ditë para zgjedhjeve të vitit 2009.

Për ironi, çdokush që shtronte pyetje elementare mbi kostot, u akuzua si armik i kombit. Një zyrtare e Bankës Botërore që nuk shihte logjikë ekonomike në një sipërmarrje të tillë, akuzohej se mbronte interesat e fqinjëve të paidentifikuar që ishin kundër rrugës së shqiptarëve.

Kryeekonomisti i Bankës Botërore që i tha qeverisë diçka që dihet nga të gjithë, se një vend i varfër nuk mund të përballojë borxh në nivelin 60 për qind të PBB-së, u sulmua gjithashtu si armik.

Ky sukses historik tashmë po jep frytet e veta. Jo siç deklaronte qeveria në rritjen e mirëqenies së shqiptarëve, por përmes rritjes së borxhit publik, humbjes së aftësisë kredituese të bankave për ekonominë private, rritjes së taksave dhe përballjes së vendit me një krizë buxhetore.

Një logjikë kundërfaktuale tregon se në mungesë të 1 miliard eurove të hedhura në malet e Mirditës, vendi do të kishte sot borxh publik 10 për qind të PBB-së më të ulët, pra 50 për qind nga 60 që e ka.

Bankat do të qenë detyruar të vijonin kreditimin e sektorit privat në një vend që ka ende uri për kredi për investime, shtëpi apo makina. Rritja ekonomike do të vijonte.

Si për të mbyllur një nismë që shkoi përtej imagjinatës së ekonomistëve, qeveria vendosi dje ta japë rrugën me koncesion.

Projekti madhështor dhe historik me koston e saj marramendëse, jo vetëm që nuk po nxjerr fitime për të shlyer veten e vet, por nuk po nxjerr para as për të garantuar një mirëmbajtje të zakonshme.

Qeveria shqiptare ka bërë të ditur tashmë se ka si plan rezervë t’i drejtohet Fondit Monetar Ndërkombëtar. Ndërsa ekonomia nuk rritet dhe qeveria ka ezauruar edhe hapësirën që kishte për rritjen e akcizave, kostoja e borxhit publik rëndon më shumë.

Thirrja për ndihmë te FMN është më shumë një larje duarsh. Qeveria duhet të tregojë përgjegjësinë e saj ndaj vendit me të njëjtin pasion siç nxitoi të merrte meritat historike.

Ajo duhet t’i thotë shqiptarëve të vërtetën. Se e ndërtoi rrugën me borxhe që shqiptarët duhet t’i paguajnë. Se ua rriti pagat dhe pensionet në vitin 2009 për t’i marrë votat, por kjo rritje pagash u mbulua gjithashtu me borxh që po shqiptarët do ta paguajnë.

Deri më sot duket se është e gatshme të bëjë shumë pak dhe shumë vonë. Vendimi për të mos shpërndarë bonus për pensionistët është i drejtë, pavarësisht se i dhimbshëm dhe duket se nuk mjafton për të stabilizuar financat e vendit dhe për t’u kthyer te rritja ekonomike.

Thirrja në ndihmë e FMN-së për të bërë diçka që vetë qeveria mund ta bëjë, është më shumë një tentativë për të hequr nga vetja përgjegjësinë. Nuk do të jetë qeveria ajo që do të rrisë taksat për të paguar borxhet që ka marrë, por do të jetë FMN-ja.

Borxhi publik është problemi i parë dhe i fundit i vendit. Gjithmonë është e dhimbshme të marrësh masa për ta ulur, (e dhimbshme politikisht), por nuk ka rrugë tjetër.

Top Channel