PS kërkon dorëheqjen e Haxhinastos

15/12/2011 18:10

Një ditë pasi “Fiks-Fare” në “TCH” zbuloi skandalin e përfshirjes së ambasadës sonë në Pragë në një çështje të trafikut të drogës, opozita kërkoi zyrtarisht dorëheqjen e Ministrit të Jashtëm,  Edmond Haxhinasto.

Në fjalën e tij përpara Kuvendit, deputeti socialist Taulant Balla denoncoi edhe standartet e munguara të përzgjedhjes dhe caktimin e shumë familjarëve të politikanëve e personave të pakualifikuar në përfaqësi të shumta diplomatike të Shqipërisë nëpër botë.

“Fatkeqësisht, është një rast i përsëritur që makina e ambasadës kapet me drogë. Siç tregoi dje përpara të gjithë shqiptarëve televizioni “Top-Channel”, ambasada jonë në Pragë është vënë në shërbim të trafikut të narkotikëve dhe grupimeve kiminale. As ambasadori dhe as Ministria e Jashtme nuk hodhën poshtë akuzat e drejtëpërdrejta të Drejtorit të Përgjithshëm të Antidrogës Çeke, Jakup Fridrish. Ky nuk është rasti i parë. Disa vjet më parë, një mik i familjes dhe qeverisë së Berishës u kap në Romë si korrier droge. Dy vjet më parë, punonjësi i ambasadës në Stamboll u ndalua përsëri për këto arsye dhe siç përmendi Dade më parë (Arta Dade), ka patur edhe raste të tjera”.

Në fjalim të fjalës, Balla shtoi: “Ju të gjithë e dini që dhëndri i Jozefinës, e cila nuk është sot e pranishme në rolin e drejtueses së Parlamentit, ka patur një karrierë të shkëlqyer diplomatike. Kur vajza e Topallit ishte me studime në Strasburg, edhe ai punonte në përfaqësi diplomatike në Strasburg. Kur e bija shkoi në Paris, këngëtari Ejli caktohet atashe në ambadën tonë në Paris, në një post që me ligj shkruhet se duhet të ketë më shumë se dhjetë vjet punë. Sot, ai është 26 vjeç, prandaj për të plotësuar kushtet, duhet të kishte nisur punën që 16 vjeç në shërbimin konsullor”.

Balla vazhdoi denoncimin e tij: “Por, Ministri këtu prezent e di shumë mirë që Ejli nuk është rasti i vetëm. Në ambasadat tonë shërbejnë në detyra të ndryshme personat me mbiema si Gjana, Bogdani, Frangaj apo Çoba, sepse edhe vëllai i Jozefinës, nga emigrant është bërë diplomat. Haxhinasto është përgjegjës dhe duhet të sqarojë këtu publikun. Ai nuk e ka dënuar ngjarjen, prandaj është i përfshirë në të. Haxhinasto duhet të japë dorëheqjen menjëherë”.

Haxhinasto: Mos dëgjoni se çfarë thonë mediat
Në replikën e tij, Ministri Haxhinasto përgënjeshtroi atë që shqiptarët panë në emisionin “Fiks-Fare”, duke iu referuar burimeve zyrtare, të cilat “nuk kanë konfirmuar asnjë version, as atë të televizionit shqiptar dhe as atë të medias çeke”. Ministri i Jashëtm i ftoi deputetët e opozitës që të tregohen “të matur dhe të mos spekulojnë. Nuk duhet të manipuloni opinionin publik. Diplomacia nuk funksionon mbi bazën e televizionit. Media është përgënjeshtruar. Nuk ka asnjë pretendim nga Ministria e Jashtme Çeke për çështjen e trafikut të drogës. Mos iu referoni mediave sepse bëni dëm për prestigjin e vendit. Përsa i përket emërimeve, ejani në Ministrinë e Jashtme dhe verifikojini, sepse të gjithë janë sipas normave”.

Balla: “Top-Channel” iu referua burimeve zyrtare
Duke iu kundërpërgjigur Ministrit të Jashtëm, Taulant Balla qartësoi se “gazeta çeke, “Parlamentarny List”, është një burim zyrtar, pasi i referohet zhvillimeve parlamentare dhe publikon vetëm vendime e ngjarje që dalin nga zyra për shtyp e Kryeministrisë Çeke”. Balla shtoi se në “mikrofonat e “Top-Channel” foli vetë shefi i Antidrogës së Republikës së Çekisë dhe nuk e kuptoj se me çfarë bazash Ministri nuk e quan atë si një burim zyrtar”.

Në mbyllje të replikës, Balla solli disa shifra për parregullsitë në emërime. Sipas tij, nga 150 punonjës të shërbimit diplomatik shqiptar nëpër botë, 100 janë emëruar në kundërshtim me rregullat ligjore. Ne kemi një ligj që thotë se një ambasador duhet të ketë jo më pak se 21 vjet punë, nga të cilat 11 vjet punë direkte në shërbimin konsullor. Aktualisht, 22 prej tyre nuk i përmbushin këto kritere”.

Top Channel