Dritat, cmimi nuk rritet për tre vjet

15/12/2011 00:00

Enti Rregullator i Energjisë zyrtarizoi vendimin për tarifat e reja të energjisë elektrike, sipas të cilit cmimet për familjarët nuk do të ndryshojnë për tre vitet e ardhshme.

“Enti Rregullator i Energjisë, edhe përgjatë periudhës së tretë rregullatore 2012-2014, vendosi të ruajë të njëjtat cmime, si edhe sistemi tarifor me dy blloqe, duke lënë në fuqi një cmim 7.7 lekë kilovatori për konsumatorët që konsumojnë deri në 300 kilovatorë dhe për konsumatorët që konsumojnë mbi këtë masë, cmimi i energjisë elektrike është 13.5 lekë kilovatori”, bëri me dije Eduart Elezi, Drejtor Juridik i ERE-s.
 
Ndërsa drejtori i ERE-s, Sokol Ramadani tha se kjo është pjesë e reformës, sepse megjithëse inflacioni në Shqipëri është i shifrave 3 përqind, ERE ka mbajtur cmim konstant. “Kjo është si rezultat i ndikimi të uljes së humbjeve”, tha Ramadani.

Sipas vendimit rritje të cmimit do të ketë vetëm për biznesin gjatë periudhës pik.

“Tarifa e energjisë së pikut do të jetë në masën 15 përqind më e lartë se tarifa bazë e energjisë për cdo grup klientësh për periudhën 2012-2014. Kjo arsyetohet me faktin që në kushtet aktuale në të cilat ndodhet sistemi elektro-energjitik, i cili mbështetet në burimet vendase hidro, si referencë per përllogaritjen e tarifës së pikut ka shërbyer cmimi i importit, i cili për vitin 2011 është rritur ndjeshëm”, tha Elezi.

Enti ka ndryshuar cmimet që përfitojnë kompanitë e energjisë.  Cmimi që KESH i shet energjine CEZ-it nga 1.48 lekë për kilovatorë rritet ne 2.83 lekë. Ndërsa për OST-në, cmimi nga 0.6 lekë bëhet në 0.65 lekë për kilovat orë.

Top Channel