Presidenti dekreton “Buxhetin 2012”

14/12/2011 18:00

Një javë nga votimi i shumëdebatuar në Kuvend, buxheti i vitit 2012-të, ka marrë edhe “bekimin” e Presidentit të Republikës, Bamir Topi.

Buxheti i vitit të ardhshëm parashikon një total shpenzimesh, me vlerë rreth 397 miliardë lekë, ose vetëm 1.5% më tepër se buxheti i këtij viti (para ndryshimeve). Duke e krahasuar me projektin e korrikut, ku qeveria shkurtoi 18 miliardë lekë, drafti i 2012-s nuk shkon më tepër në rritje me 5%.

Sa u takon investimeve, nuk parashikohet rritje e tyre, duke i mbajtur të njëjta, si me 2011-n, rreth 70 miliardë lekë, kurse të ardhurat parashikohen në 352 miliardë lekë.

Gjatë procesit të votimit në Kuvend, 1 javë më parë, mazhoranca nuk nguroi të quajë këtë buxhet si një buxhet konservator që përmban shkurtime të ndjeshme të shpenzimeve, megjithatë premtoi se rritja e pagave dhe e pensioneve do të vazhdojë edhe në vitin e ardhshëm.

Ndërkohë, opozita kërkoi shkurtime më të forta, duke thënë se vendi rrezikon të tejkalojë kufirin ligjor të borxhit që është 60 përqind e GDP-së dhe hodhi propozimin e taksës progresive. Në mbështetje të kërkesës së opozitës për uljen e shpenzimeve kanë qenë edhe deklaratat e institucioneve financiare ndërkombëtare.

Banka Botërore ka bërë thirrje për ulje të shpenzimeve, sidomos të shpenzimeve për rrugët, në mënyrë që të mos preken investimet në shëndetësi dhe arsim.

Ligji për buxhetin 2012, do të hyjë në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare. 

Top Channel