Kushtet e rënda të FMN-së

14/12/2011 08:00

Qeveria shqiptare duket se po detyrohet të pranojë realitetin ekonomik të vendit, të cilin ka tre vjet që e mohon me këmbëngulje, duke kërkuar ndihmë financiare nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, një ndihmë që shoqërohet me kushte.

Gazeta ‘Shqip’ publikon se deri më sot, FMN ka ofruar disa këshilla për menaxhimin e situatës makroekonomike të vendit, këshilla që janë publikuar te raporti vjetor. Por këto këshilla ka gjasa që të kthehen në kushte përkundrejt dhënies së ndihmës financiare. Rritja e taksave si mjet për të ulur borxhin publik, dhe indirekt, ulja e pagave të sektorit publik e privat si pasojë e rritjes së taksave, rritja e masës së kontributeve të sigurimeve shoqërore, rinisja e reformës së pensioneve (rritja e moshës) etj., janë disa nga rekomandimet e hedhura nga FMN-ja në raportin e fundit për Shqipërinë.

Sipas Fondit, Shqipëria e ka të domosdoshme ta ulë borxhin publik në 50 për qind të PBB-së brenda disa viteve dhe kjo gjë është e mundur përmes kursimeve në masën 1.5 2 për qind të PBB-së. Kjo është e barasvlefshme me 150-200 milionë euro.

Plani aktual i qeverisë qe që ekonomia të rritet dhe t’i japë mundësi asaj të kryejë shpenzimet e veta të zakonshme elektorale, si rritja e pagave dhe pensioneve dhe njëkohësisht, të sjellë reduktim të borxhit publik në raport me PBB-në. Problemi është se ekonomia nuk po rritet. Qeveria nga njëra anë nuk mund të rrisë pagat dhe pensionet dhe nga ana tjetër duhet të gjejë para për të ulur borxhin publik. Në këto kushte, e vetmja alternativë mbetet rritja e taksave dhe FMN e ka identifikuar sakaq se çfarë takse mund të rritet.

“Duke parë që taksa e sheshtë është aktualisht 10 për qind në Shqipëri, është e mundur që ajo të rritet”, – thuhet në raportin e fundit të FMN-së, ndërsa përfaqësuesi i misionit, Gerwin Bell e shpjegoi më tej këtë ide në një konferencë për shtyp disa muaj më parë në Tiranë. “Nuk besoj se aftësia e Shqipërisë për thithjen e investimeve të huaja do të preket shumë në rast se taksa e sheshtë rritet në 12 apo 15 për qind”, – tha ai.

Anët e mira

Rritja e taksimit direkt dhe rrjedhimisht, ulja e pagave të të punësuarve do të ketë efekte pozitive për produktivitetin ekonomik të shqiptarëve si dhe për kreditimin e ekonomisë. Rritja e pagave të sektorit publik më shpejt se sa rritja ekonomike gjatë periudhës 2006-2010 ka ulur eficencën e punës në të gjithë ekonominë si dhe ka vënë financat e shtetit në vështirësi financiare. Rritja e taksave mbi pagën, sipas FMN-së, do të sjellë rritje më të shpejtë të produktivitetit në ekonomi. Nga ana tjetër, përdorimi i të ardhurave të krijuara nga rritja e taksave për të shlyer një pjesë të borxhit publik do t’i detyrojë bankat të kërkojnë kredimarrës mes kompanive dhe individëve, gjë që do të ndihmojë rritjen ekonomike në tërësi.

Kosto politike

Qeveria mund t’ia kishte kursyer vetes situatën aktuale dhe koston politike që ajo do të krijojë në rast se do të tregohej financiarisht më e përgjegjshme gjatë tre viteve të fundit, duke pranuar se pagat nuk mund të rriten për sa kohë nuk ka rritje ekonomike dhe që rritja e huamarrjes buxhetore në vetvete sjell pakësim të kreditimit dhe rënie ekonomike. Nga ana tjetër, duket se plani për t’iu drejtuar FMN-së synon gjithashtu të zbusë impaktin negativ politik që do të kenë masat e kursimit dhe rritjes së taksave duke ia hedhur fajin krizës ndërkombëtare dhe vetë FMN-së.

Reforma e pensioneve

Reforma e pensioneve, që nënkupton rritje të kontributeve dhe ndoshta rritje të moshës së daljes në pension, është një nga rekomandimet kyç të Fondit Monetar Ndërkombëtar për qeverinë shqiptare. Fondet për pensione pritet të rriten ndjeshëm vitin e ardhshëm, për shkak se kuadri rregullator aktual sanksionon që çdokush mbi 65 vjeç të marrë pension.

Top Channel