Komisioni parlamentar i ekonomisë miratoi vetëm me votat e maxhorancës kandidaturën e dekretuar nga presidenti për kryetar të Kontrollit të Lartë të Shtetit, zotin Bujar Leskaj.

Opozita përmes kryetarit Edi Rama e kishte shprehur që më parë qëndrimin kundër Leskajt. Por në komision deputetët e saj preferuan të mos marrin pjesë në votim, por vetëm të japin argumentat se pse Partia Socialiste nuk është dakord me këtë kandidaturë.

“Ajo që mua më shqetëson është procedura. Ne nuk mund të votojmë vetëm ata kandidatë që i pëlqejnë partisë në pushtet. Ky s’mund të quhet as konkurs dhe as bashkëpunim”, deklaroi deputeti Erjon Brace.

Deputetët demokratë në komision thanë se zoti Leskaj nuk është   njeri politik, pasi sipas tyre ai ka dhënë dorëheqjen nga funksionet në Partinë Demokratike disa muaj më parë.

“Aktualisht zoti Leskaj nuk është anëtar i PD apo i ndonjë strukture të saj. Unë kam katër muaj që kam marrë dorëheqjen e zotit Leskaj dhe po të doni jua tregoj”, i është drejtuar një deputet demokrat kolegëve socialistë.

Ndërsa zoti Leskaj bëri një prezantim të gjatë mbi atë se si do e ndryshojë ai punën në KLSH. “Thellimi i luftës kundër korrupsionit dhe cënimit të pronës publike do të jenë prioritet. Abuzimi ndaj ekonomisë shtetërore merr një rol të rëndësishëm”, u shpreh ai.

Ndërsa deputeti tjetër socialist Andis Harasani iu drejtua me një pyetje thumbuese deputetëve të mazhorancës lidhur me kandidaturën e zotit Leskaj.

“Kur na sollët Sali Shehun dhe e rrëzuat thatë që zoti Shehu është njeri politik dhe si i tillë preferojmë më mirë ta kemi në krah të PD-së se PD ka nevojë për të. Po për zotin Leskaj nuk ka nevojë PD?”, pyeti Harasani.

Leskaj u dekretua mesin e muajit të kaluar nga presidenti Bamir Topi për drejtimin e KLSH-së, kandidatura e dytë pas rrëzimit të asaj të Sali Shehut në Kuvend.

Dy ditë më parë grupi parlamentar i Partisë Demokratike njoftoi në mbledhjen e tij se kishte vendosur të votonte propozimin e Presidentit Bamir Topi, pavarësisht rezervave ndaj tij. 

Top Channel