Që Avokati i Popullit të mos bjerret

13/12/2011 00:00

Erjon Kristo – Këto ditë po asistojmë në një proces konstitucional me rëndësi të
veçantë për fatet e demokracisë shqiptare. Dhe kjo nuk vjen vetëm prej
faktit se po diskutohet për një nga 12 kushtet e vendosura nga BE për
dhënien e statusit kandidat për Shqipërinë.

Flasim për procesin që do të kurorëzojë një person në karrigen e Avokatit të Popullit. Zhvillimi i këtij procesi po kryhet në një mënyrë krejt transparente nga një komision i posaçëm i ngarkuar nga Partia Socialiste. Pra, përgjegjësia për zgjedhjen e Avokatit të Popullit do t’i takojë Partisë Socialiste, si pjesë e paktit mes dy palëve në konflikt prej dy vjetësh, për të ofruar një klimë të re politike dhe një frymë të re qeverisëse.

Procesi merr rëndësi edhe më të madhe, sepse është një eksperiment i ndodhur rrallë në truallin tonë në këto 20 vjet, ku kërkohet maksimalizimi i përpjekjeve për të prodhuar një figurë të arrirë në krye të një institucioni shumë delikat, por gjithashtu edhe sepse mënyra e zhvillimit të këtij procesi do të sjellë një model qeverisjeje që fare lehtë mund të kthehet në një traditë shtetformuese, pikërisht ajo çfarë ka munguar më së shumti në këto dy dekada demokraci. Partia Socialiste e cila ka ngurruar prej mbi një viti e gjysmë duke penguar vendosjen e kreut të këtij institucioni, duke e privuar popullin nga një institucion mbrojtës me peshë përballë institucioneve të tjera, kërkon të rikuperojë kohën e humbur, duke mos e luajtur lojën institucionale në një lloj kulise, po duke nxitur interesin e gjerë publik dhe karrierën normale të qytetarëve me zë të këtij vendi, për të dhënë kontribute reale, ose më mirë akoma për të institucionalizuar kontribute të dhëna si shoqëri civile që kërkon thjesht forcimin e zërit të vet përmes një procedure transparente.

Por shoqëria civile vetë, duke u gëzuar nga fakti i hapjes së Partisë Socialiste, duhet të kishte ngritur më shumë zërin e saj, që metodologjia shumë shekullore e punëve tona të mos e mbysë këtë iniciativë të pashoqe, ku interesi personal i liderëve për të emëruar nipër e mbesa u sfumua në emër të një ideali të lartë që na afron më shpejt me integrimin. Duhej që organizata të shoqërisë civile të kishin bërtitur më shumë dhe të mos e linin këtë punë në duart vetëm të një komisioni personash me reputacion moral dhe profesional, por që gjithsesi mund të rrezikonin shumë gjatë këtij procesi. Prandaj, nëse ky fat do të shfaqet sërish në truallin tonë, nuk mund të jemi kaq të verbër sa të mos japim kontributin tonë, kur mundësia është që ky kontribut të merret parasysh. Ndërsa media, me ndonjë përjashtim të rrallë, ka qenë thjesht informuese, dhe në asnjë çast nuk ka ndërhyrë për një njohje të thelluar të situatave. Fare pak intervista dhe fare pak hapësirë nëpër gazeta e televizione, madje munguan gjatë gjithë kësaj periudhe komentet nga komentatorët e panumërt televizivë dhe gazetarët që flasin dhe shkruajnë pa fund për të gjitha problemet që shfaqen nga SHBA, BE, Iraku, e deri në krizën e pranverës arabe për të cilën kanë shansin të kenë një ekspertizë, po mbyllin gojën kur flitet për fatet tona, aq më tepër kur jemi në kohën kur fatet tona ende po gatuhen dhe nuk kanë marrë formë.

Deri më tani ka pasur përpjekje të vogla nga pala e mazhorancës për ta nakatosur këtë proces, ku kanë kaluar dy faza, mbledhja e gjithë kandidaturave dhe seleksionimi i parë i tyre, ku deri më tani nuk gjejmë asgjë për të komentuar apo për të kritikuar, përkundrazi ndonjë pakënaqësi e vogël pa peshë. Ka mbetur faza e parafundit, faza e dëgjimit të 12 kandidatëve (ndër të tjera, zgjedhja e një duzine nga kandidaturat e paraqitura është një gjetje e vërtetë me ngjyra mitike) dhe faza e fundit e shoshitjes përfundimtare dhe e paraqitjes së produktit. Megjithatë, procesi duket se do të ketë edhe një hendek tjetër për të kapërcyer, Kryesinë e PS dhe Grupin Parlamentar. Po edhe pas përfundimit të këtij procesi të gjatë dhe interesant, mbetet miratimi i palës tjetër, i mazhorancës, ku në fazën që jemi duhet të merret disi në konsideratë, sepse mazhoranca aktuale nuk e ka qejf provokimin. Këtë ajo e ka treguar disa herë në përballje me Presidentin e Republikës, ku disa kandidatura janë refuzuar me pretekste të ndryshme, me arsye të vërteta ose thuajse të vërteta. Prandaj, do të vlente si sugjerim në fazën aktuale që kandidati/kandidatja të mos ishin të paragjykuar paraprakisht nga mazhoranca, sepse ajo nuk do të rrëzonte vetëm kandidaturën, po gjithë procesin. Dhe ky do të ishte rreziku më i madh, një rrezik që është real dhe jo fiktiv, sepse mbajtja e pakteve shpesh ka qenë vështirësia e vetme.

Por institucioni i Avokatit të Popullit është një institucion i rëndësishëm që nuk duhet të marrë të krisura, sepse këto të krisura do të reflektohen më vonë në performancën e tij, pra jo vetëm që ai/ajo duhet ta nisë me këmbën e mbarë, po duhet ta nisë me hap të sigurt. Prandaj do të ishte më e arsyeshme që nga shoshitja të mos dalë një kandidat i vetëm, por të paktën tre kandidatë, sikurse është praktika normale e çdo nëpunësi civil tjetër. Kjo jo vetëm do ta shtonte larminë, do ta pakësonte prapaskenën, por do të ishte edhe një ogur i mirë për të tjerët që e kanë kaluar këtë lloj procesi konkurrimi, sepse nuk do të ndiheshin të paragjykuar, por të vlerësuar. Kjo do të rriste shkallën e përgjegjshmërisë edhe të institucioneve të tjera të Partisë Socialiste që do të merrnin vlerë në debatin e gjatë të përzgjedhjes.

Avokati i Popullit ka fare pak armë ligjore në dorë për të ushtruar autoritetin e tij. Kjo vjen jo vetëm për shkak të legjislacionit, por edhe për shkak të llojit të punës që kryen ai. Prandaj mendohet se ai (institucioni) duhet të ketë disa asete të veçanta për të kryer këtë detyrë të vështirë. Ai duhet të jetë një person që përballet dhe kjo është taksative. Nuk mund të kemi për avokat popullor një njeri që flet me heshtje, por një njeri që ka folur pavarësisht pozicionit që ka pasur. Pra, guximi publik dhe pavarësia intelektuale do të ishin armë të shkëlqyera të Avokatit në ushtrimin e funksioneve të tij kushtetuese. Por Avokati duhet të ketë edhe komunikim të mirë mediatik, me shkrim e me gojë. Ai/ajo duhet të ketë pasur një popullaritet dhe njohje të caktuar të cilën nuk duhet ta fitojë në detyrë e sipër, por duhet ta ketë pasur të kryer me kohë, sepse nuk mendohet se shteti është biçikletë mësimore ku njerëzit mësohen ta ngasin kur hipin sipër, ndërsa kanë pasur mundësi që të tregojnë përkushtimin e tyre për publikun që në krye të herës. Do të ishte e turpshme që të promovohej jo vetëm heshtja, po dhe individualizmi dhe vetjakësia si vlera, ndërsa do të ishte më e udhës të promovohej altruizmi dhe komunikimi si arsye pozitive për t’u dhënë njerëzve shpresë.

Një vlerë tjetër e shtuar e personit që do të kryejë funksione publike do të ishte edhe komunikimi me ndërkombëtarët. Në punën konkrete të Avokatit të Popullit, shpeshherë ata kanë qenë një arsye mirëfilli rezultative, sepse mbështetja e tyre ka rezultuar pozitive. Pra, bëhet fjalë për aftësinë e së folmes së gjuhës me të cilën janë mësuar ndërkombëtarët. Dhe nëse kësaj marrëdhënieje interesante me faktorin ndërkombëtar do t’i shtojmë edhe përvojën direkte dhe jo vetëm interesin direkt, atëherë do të kishim një Avokat Populli serioz, autoritetin moral të të cilit do të vijonim ta mbështesnim, sepse vjen nga një proces fare i qartë dhe i drejtë, që jep shpresë për një të ardhme më të mirë dhe një frymë të re qeverisëse reale dhe jo demagogjike. Vetëm kështu do të renditeshim krah Avokatit të Popullit për ta ndihur në punën e tij fisnike, sepse nuk bëhet fjalë për të gjetur punë për të papunë, por për një mision fisnik. Po kjo fisnikëri duhet të garantohet qysh në proces.

Gazeta “Shqip”

Top Channel