Privatizimi i Albpetrol

13/12/2011 23:16

Komisioni Parlamentar i Ekonomisë miratoi një ligj të propozuar nga qeveria që i jep asaj të drejtën të shesë 100 për qind të aksioneve të kompanisë publike të naftës Albpetrol.

Drafti u kundërshtua fort nga opozita, e cila kërkoi që forma e privatizimit të ishte ajo e koncesionit.

“Është për t’u rivlerësuar, 100 përqind privatizim. Në këto kushte, në këtë moment, me këtë mungesë transparence është gjëja më e keqe që i bëjmë vendit”, tha deputetja e PS, Mimi Kodheli, njëkohësisht edhe nën/kryetare e Komisionit të Ekonomisë.

“Objektivi që ka qeveria për të tërhequr një investitor strategjik shumë të njohur në këtë fushë të sygjeron variantin që të shitet 100 përqind”, tha Edmond Spaho, kryetar i Komisionit të Ekonomisë.

Por formula e shitjes nuk ishte pika e vetme e përplasjes mes palëve. Arben Malaj tha se drafti i hedh punonjësit aktual të Albpetrolit në rrugë, pasi nuk parashikon asnjë trajtim për ta.

“Privatzimi nuk është larje duarsh nga kpmpani publike në kompani private dhe pas asaj marrëdhëniet janë të thjeshta. Ata që përfshihen në një proces privatizimi, duhet të përballen edhe me një proces post privatizimi, si mbulohen kostot e ardhura nga privatizimi, punësimi etj.” tha deputeti i socialist, Arben Malaj.  

Por zëvendësministri i ekonomisë, Eno Bozdo tha se trajtimi i punonjësve të kompanive që privatiziohen është standard dhe i përcaktuar me ligj.

“Cilado qeveri që ka qenë në krye të 20 vjetëve nuk ka patur një vlerësim ose ka patur një vlerësim ndryshe nga ato që lejon legjislacioni shqiptar”, tha zv/ministri, Eno Bozdo.

Albpetrol është kompania e fundit strategjike që ka mbetur në pronësi të publikut. Ndryshe nga privatizimet e e kompanive të tjera, për Albpetrol qeveria ka vendosur të shesë të gjitha aksionet. Aktualisht Albpetrol zotëron 1264 puse aktive, që prodhojnë një sasi nafte prej rreth 135 mijë tonë në vit.

Top Channel