Komisioni Parlamentar i Ekonomisë shtyu me dy vjet afatin, që qytetarët
mund të përdorin bonot e privatizimit në procesin e legalizimit, por
edhe shitjen e pasurive publike. Ministria e Financave thotë se ky
ndryshim ligjor është i nevojshëm.

“Një seri ligjesh që parashikojnë përdorimin e tyre, si instrument pagese në privatizime apo në procese të tjera, janë ende në fuqi dhe kanë provokuar edhe zgjatje të afateve”, tha Linda Rusmali, përfaqësuese e Ministrisë së Financave.

Por opozita mendon se bonot e privatizimit janë një eksperiment i dështuar i qeverisë, pasi qytetarët nuk kanë parë asnjë përfitim nga to.

“Vlera e bonove të thesarit në duart e njerëzve të thjeshtë bie cdo ditë e më tepër dhe njerëzit nuk gjejnë mundësi, rrugë për t’i përdorur këto bono thesari. Të gjitha qeveritë kanë ndihmuar nga pak që ky proces të tejzgjatet dhe shtyrja e afatit të këtyre bonove më bën të besoj se ky proces do të hiqet zbarrë pa asnjë rezultat”, tha deputetja socialiste Mimi Kodheli.

Deputeti demokrat Edmond Spaho tha se ishin socialistët ata që i nxorrën bonot nga qarkullimi, ndërsa qeveria e djathtë sipas tij i riktheu në shërbim të qytetarëve.

“Vjet e kemi bërë këtë debat dhe kemi dhënë edhe shifrën, mua nuk më kujtohet sot, të bonove të privatizimit që janë përdorur në procesin e legalizimit. Eshtë një shifër e konsiderueshme”, tha Spaho.

Sipas të dhënave të qeverisë deri në vitin 2010 janë përdorur nga qytetarët rreth 11 miliardë lekë bono në procesin e privatizimeve, ndërkohë që një tjetër sasi disa herë më e madhe mbetet e papërdorur. Vec draftit të bonove komisioni miratoi edhe një tjetër ndryshim ligjor, që ul tarifën doganorë për qepujkën nga 15 në 2 për qind.

Top Channel