Presidenti Bamir Topi në Katar

12/12/2011 00:00

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, mori pjesë në Forumin e katërt Botëror të Aleancës së Qytetërimeve që po mbahet në Katar.

Në forum ai mbajti një fjalim ku deklaroi se “ne jemi një popull i cili ka ndërtuar historinë e vet nëpërmjet një rrugëtimi të gjatë përvetësimi besimesh apo kulturash të ndryshme, që prej paganizmit e deri në ditët tona, rrugëtim që e pasuroi brez pas brezi identitetin shqiptar e që bëri të mundur përjetësimin e tij në fjalët e vyera të rilindësit shqiptar Vaso Pasha “Feja e shqiptarit është shqiptaria”.
 
“Për shumicën e shqiptarëve, Aleanca e Qytetërimeve përbën një realitet të prekshëm. Parimet e kësaj nisme janë pjesë e natyrshme e trashëgimisë së traditave shqiptare, të cilat mbështeten në një bashkëjetesë afat-gjatë dhe të vyer ndërmjet feve kryesore ekzistuese, përgjatë historisë së lashtë dhe moderne”, theksoi Topi.  

Ai shtoi se Aleanca e Qytetërimeve po luan rol të rëndësishëm në ndërtimin e urave të komunikimit ndërmjet shoqërive, duke promovuar mirëkuptimin për të ndikuar në zbehjen e pabarazive që ekzistojnë sot në botë.

Presidenti është pritur edhe nga Emiri i Shtetit të Katarit, Hamad Bin Khalifa Al Thani. Gjithashtu, Topi vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të shtetit të Katarit edhe për njohjen e pavarësisë së Kosovës, duke theksuar se tashmë Ballkani Perëndimor, i cili ka fituar siguri të qëndrueshme, me tregun e vet të përbërë nga vende që të ardhmen e kanë patjetër në strukturat euro-atlantike, paraqet mundësi tërheqëse për investime me shtrirje rajonale.

Një takim është zhvilluar edhe me shqiptarët që jetojnë në Katar.

Top Channel