Energjia, qeveria premton gjysmën e fondeve

12/12/2011 08:00

Rritja e konsumit të energjisë elektrike dhe nga ana tjetër, mungesa e prodhimit vendas, detyron Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare t’i drejtohet bankave për të marrë kredi, por përkundër kësaj i nevojitet garancia e qeverisë.

Kërkesa e KESH-it për mbulimin e importeve vërtitet në vlerat e të paktën 12 miliardë lekëve për sasi në rreth 1.7 miliardë kilovat energji elektrike për vitin 2012. Gazeta “Shqip” mëson se, Ministria e Financave do të japë garanci me vlerë që nuk shkon më shumë se 5 miliardë lekë, pra më pak se gjysma, në një kohë që nevojat janë për më shumë.

KESH shpreson te vendimi i Entit Rregullator të Energjisë Elektrike (ERE) sa i takon vendosjes së tarifave të reja, me çmim më të lartë se aktuali, rreth 250 për qind. Korporata po vuan nga çmimet e larta të energjisë në rajon për shkak të thatësirave, ndërsa CEZ po i kërkon gjithnjë e më shumë sasi për konsumin e popullatës. Aktualisht, konsumi ditor mesatar është rreth 20 milionë kilovat, ku më shumë se 70 për qind importohet nga KESH dhe CEZ, ku korporata mban peshën më të madhe.
 
Mungesa e mbështetjes nga ana e Ministrisë së Financave lidhet edhe me frikën e rritjes së stokut të borxhit publik, përtej limiteve të lejuara me ligj.

Sipas të dhënave të KESH-it, aktualisht 1 megavat blihet në import mesatarisht 65-70 euro, me efekte të konsiderueshme për financat e ndërmarrjes shtetërore. Nëse për pjesën e mbetur të vitit është siguruar energjia për konsumatorët, pasi qeveria dha mbështetje, problem mbetet viti 2012. KESH parashikon të prodhojë 3.4 miliardë kilovat energji, ndërsa nevojat janë për më shumë, të paktën 5.5 miliardë kilovat, pra diferenca (nëse llogarisim edhe HEC-et e tjera), duhet blerë nga jashtë. E thënë ndryshe, korporatës i duhen të paktën 13 miliardë lekë për importe, sipas çmimit të parashikuar 7.7 lekë/kilovati dhe për sasi rreth 1.66 miliardë kilovat.

Tjetër problem për kompaninë lidhet me situatën financiare në tërësi, me të ardhurat e munguara dhe borxhet. Vetëm për vitin 2012 duhen shlyer interesa me vlerë 1 miliard lekë, ndërsa të ardhurat llogariten në rreth 4.5 miliardë lekë, gjithnjë duke iu përmbajtur skenarit më të mirë, në rast se ERE-ja merr në konsideratë kërkesën për rritjen e çmimit.

“Ka dy mundësi për të siguruar fondet; nëpërmjet pagesave të CEZ-it dhe mbështetjes se qeverisë për pagesat e këtyre faturave”, deklaroi pak kohë më parë kreu i KESH-it, Engjëll Zeqo.

Top Channel