“Bosi i torturës 100 mijë stërlina”

11/12/2011 00:00

Gazeta britanike e së dielës ‘The Daily Star Sunday’, në shkrimin me titull “Bosi i Torturës ju kushtoi juve 100 mijë Sterlina” shkruan se Ilir Kumbaro, i cili tashmë është në arrati ka mjelur taksapuaguesit britanikë duke i kushtuar shtetit 100 mijë sterlina ose 170 milionë lekë.

Ish-bosi i shërbimit sekret tashmë është objekt i një operacioni mbarëkombëtar për gjetjen e tij pasi Scotland Yard lëshoi një apel publik për gjetjen e tij.

Gazeta shkruan se sot po zbulojmë tërë historinë e gënjeshtrave të cilat mashtruan autoritetet britanike për më shumë se një dekadë nga të cilat ai përfitoi shumën gjashtë shifrore në përfitime sociale. 

Gazeta ‘The Daily Star Sunday’ shkruan se Kumbaro gënjente kur deklaronte se ishte nga Kosova.

“Isha paralajmëruar nga policia se nëse do të merrja pjesë në demonstrata të tjera, do të burgosesha dhe do te vritesha”.

Kumbaro mori shtetësinë britanike me emrin Shaqa Shatri dhe me atë pasaportë udhëtoi deri në Kine. Kumbaro arriti të marrë banesë nga shteti dhe për të paktën një dekadë, shkruan gazeta britanike merrte ndihma për paftësi fizike dhe  depresion dhe për shkak të depresionit nuk punonte dot pasi kishte frike se gruaja dhe fëmijët i ishin vrarë në Kosovë.

Ai arriti mesa duket të mashtronte edhe mjekët  se shihte ëndrra të këqija sikur shikonte të afërmit dhe miqtë e vrarë nga policia serbe në Kosovë.

Në fakt kur policia bastisi shtëpinë e tij në Londër ata gjetën një grua e cila besohet se është gruaja e tij Vjollca.

Ai mendohet se ka dy djem që jetojnë në Britani. Ajo që mjekët nuk dinin ishte se ai jo vetëm që nuk ishte viktimë e torturave, por i dyshuar për rrëmbim dhe torturë te Avdyl  Loshajt, Ziso Kristopullit dhe Remzi Hoxhës.

Gazeta citon një burim në Agjensinë Britanike të Kufirit e cila ka deklaruar për gazetën se “Kumbaro është një njeri inteligjent i cili në mënyrë të qartë  ka luajtur me sistemin duke dhënë të dhëna bindëse punonjësve të emigracionit e duke pretenduar se ishte viktimë e torturave në Kosovë dhe të merrte ndihma nga shteti britanik.

Djali i Kumbaros Endrit, tashmë ka humbur 10 mijë stërlinat e vëna garanci pas mosparaqitjes së tij në gjykatë. Në shtëpinë e Endrit në Forest Hill, në juglindje të Londrës, shkruan gazeta një grua e cila tha se ishte gruaja e Endrit  tha se burri i saj kishte shkuar në Paris.

Menjëherë pas kësaj ajo dhe fëmijët e saj u larguan nga shtëpia me bagazhe dhe u larguan nga miqtë e tyre me makinë, shkruan gazeta e së dielës The Daily Star Sunday.

Top Channel