Absurdi ekonomik shqiptar

10/12/2011 00:00

Rritja e lartë ekonomike ka qenë treguesi i trumbetuar nga të gjitha qeveritë në Shqipëri si suksesi më i madh ekonomik.

Në dhjetëvjecarin e fundit, ekonomia shqiptare është rritur mesatarisht me 5.5 deri në 6 për qind në vit, në dukje një nga normat më të larta në rajon. Por a ka mjaftuar ky ritëm i zhvillimit, të rrisë mirëqënien e shqiptarëve njëlloj si fqinjët e tyre në Ballkan? Te dhenat e Fondit Monetar Ndërkombëtar, tregojne sa janë rritur të ardhurat për frymë në rajon sipas standardit të fuqisë blerëse krahasuar me vitin 2000.  

Shqipëria edhe pse ka shifrën më të lartë të rritjes ekonomike, qytetaret pasurohen më ngadalë se sa fqinjët e saj, vec Bosnjës së zhytur në konflikte etnike dhe destabilitet të zgjatur politik. Sipas FMN-së disa nga vendet fqinje kanë mundur që gjatë këtij dhjetëvjecari të rritësin mirëqënien e qytetareve të tyre deri në dy herë më shumë se Shqipëria edhe pse kanë patur rritje më të ulët ekonomike. Ekspertët thonë se e vetme, shifra e rritjes ekonomike nuk e tregon gjithë të vërtetën dhe ky fenomen, në dukje paradoksal, ka disa arsye.

Së pari është niveli i ulët i të ardhurave fillestare. Shqipëria doli nga komunizmi si vendi më i varfër, me të ardhurat për frymë që ishin vetëm 800 dollarë. Së dyti, mirëqënia e shqiptarëve gërryhet nga rritja e cmimeve, e cila është më e lartë se ajo e rajonit.

Ndërsa arsyeja e tretë lidhet me ritmet e rritjes së popullsisë. Duke përfshirë këta faktorë, një grup profesorësh në fakultetin e ekonomisë ndërmorrën një studim, ku gjetën se rritja 6 për qind e lë mbrapa Shqipërinë. Sipas tyre, që qytetarët shqiptar të pasurohen njëlloj si fqinjët në rajon duhet që rritje ekonomike të jetë paktën mbi 7 për qind. 20 vjet pas rënies së komunizmit Shqipëria, që doli nga izolimi si vendi më i varfër në rajon vazhdon të jetë sërish e fundit dhe sipas FMN do të mbetet e tillë të paktën edhe për një dekadë tjetër.

Kriza frenon pasurimin

Dhjetëvjecari i kaluar ka qenë një nga periudhat më të mira për ekonomitë në zhvillim. Të ardhurat për frymë janë rritur me ritmet më të shpejta në histori. Në Kinë dhe Indi pasuria e qytetarëve është dyfishuar gati në cdo 5 vjet për shkak të bumit ekonomik të këtyre vendeve.

Në disa vende të rajonit, koha e dyfishimit të të ardhurave mesatare është luhatur nga 8 deri në 15 vjet, ndërsa në Shqipëri u deshën 12 vjet, që të ardhurat të rriteshin nga 3900 në 7800 dollarë. Por këto ritme ishin, përpara se ekonomia të goditej nga kriza.

Tani që rritja ekonomike ka rënë, mirëqënia e qytetarëve do të rritet shumë më ngadalë në të gjithë botën. Sipas “The Economist”, në botë kanë mbetur vetëm pak ekonomi të cilat kanë gjasa të dyfishojnë të ardhurat mesatare për qytetarët e tyre brenda një dhjetëvjecari. Kina dhe India janë dy prej tyre, ku parashikohet që me këtë rritje ekonomike të ardhurat të dyfishohen respektivisht për 7 dhe 9 vjet. Ndërsa për Shqipërinë, e cila aktualisht ka një rritje ekonomike dy herë më të ulët se përpara krizës, me vlerësimet e fondit monetar do të duhen 20 vite të tjera që qytetarët të shohin të ardhurat e dyfishuara sërish, gati njëlloj si vendet e zhvilluara.   

Top Channel