Masa të forta kundër dhunës në familje

09/12/2011 00:00

Pas lajmeve tragjike, që kanë përfunduar me vdekjen e grave të dhunuara në mënyrë të përsëritur nga burrat e tyre, ekpertët kërkojnë që të ndryshohet sa me shpejt Kodi Penal, i cili duhet të ndëshkoje fort dhunuesit.

Në Drejtorinë e Policisë, 2029 raste kanë denoncuar dhunën e ushtruar ndaj tyre dhe për 1248 persona është dhënë urdhër-mbrojetje.

Ministri i Punës, tha se më 19 dhjetor do të nënshkruaj konventet e Këshillit të Europës për parandalimin dhe luftën kundër dhunës ndaj grave dhe në familje.

“Në 19 dhjetor, në emër të qeverisë shqiptare, si ministër  do të nënshkruaj këtë konventë të rëndësishme pranë organizameve të Këshillit të Europës. Konventa parashikon marrjen e masave kundër dhunës, mbrojtjen e viktimave dhe ndëshkimin e dhunuesve”, deklaroi ministri, Ksera.

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ka mbështetur ketë nisme, për mbrojtjen e femrave.

“Dhuna kundër gruas kërkon sot dhe gjithmonë një qasje të plotë për parandalimin e saj dhe mbrojtjen e viktimave duke u kërkuar të gjithë aktorëve relevantë, që do të thotë shërbimet sociale, policia, mbrojtja e fëmijëve dhe strehimi të bashkëpunojnë mes tyre. Të kërkohet në kuadër të një politike kombëtare ngritja e një rrjeti mbrojtje e sigurie për viktimat”, deklaroi zonja Topalli.

Ndryshe nga disa vite më parë, harta e denoncimit të dhunës në familje është shtrirë në gjithë vendin. Këtë vit, numrin më të lartë të denoncimeve e zë Tirana me 643 raste, Fieri me 334 Durrësi me 277 dhe Korca me 167 raste.

Top Channel