Amnistia fiskale dështoi

09/12/2011 00:00

Tashmë që procesit të amnistisë fiskale po i vjen fundi, qeveria duket
se është dorëzuar duke pranuar dështimin, të paktën për pjesën e
deklarimit të kapitaleve.

“Nisur nga situata në të cilën u zhvillua nga mungesa e një konsensusi politik dhe debati të fortë politik dhe nga kundërshtitë të shprehura të opozitës lidhur me këtë nismë, nuk arriti maksimalisht objektivin. Në tërësinë amnistia cliroi qytetarët dhe biznesin nga një sërë detyrimesh dhe nga mënjanimi i një sërë pagesash të rritura për shkak të dinamikës që ka patur tregu i pasurive fikse në Shqipëri”, tha Bode.

Në pragun e festave të fundvitit zoti Bode tha, se qeveria do të japë 10 mijë lekë shpërblim për punonjësit administratës, por në të njëtën kohë u dha pensionistëve një lajm jo të mirë, atë qe këtë herë të mos e presin kartolinën e urimit nga qeveria.

“Deri më sot ne nuk kemi mundësi sikurse e thashë është një vit tepër i vecantë. Ne bëmë rritjen e pensioneve përgjatë vitit, ndërkohë që në një sërë vendesh të tjera kemi të bëjmë me ulje të shpërblimeve të pensioneve, të alokacioneve të ndryshme, për shkaqet e krizës dhe vështirësitë që ka në secilin prej vendeve. Ato shpërblime që kemi përdorur herë pas here, nuk do të jenë në dispozicion për këtë vit”, tha Bode.

Financat publike po kalojnë një kohë të vështirë, por zoti Bode thotë se qeveria do i qëndrojë kufirit të borxhit.

“Do të respektohen ato që objektiva që ne tashmë i kemi shprehur, pra një deficit prej 3 përqind, për të mos e kaluar këtë deficit dhe për të ruajtur parametrat e borxhit në ato parametra që kemi, pa cuar në ndonjë shkurtim apo ndalim shpenzimesh të tjera eksesive nga ato që u programuan në korrik të vitit në vijim”, tha Bode.

Kreu i Financave i bëri këto deklarata në Panairin e Verës Shqiptare, që u organizua nga Ministria e Bujqësisë.

Rama: Amnistia, për biznesin e pushtetit

Ndërkohë, kryetari i PS, Edi Rama ka reaguar në “Tëitter” lidhur me dështimin e amnistisë fiskale, duke thënë se ajo dështoi pasi nuk u bë për biznesin shqiptar.

“Amnistia fiskale dështoi sepse nuk u bë për biznesin shqiptar. Amnistia fiskale u bë për bizneset e pushtetit”, është shprehur Rama.

Kryetari i opozitës ka deklaruar përmes mesazhit të tij se, vetëm programi socialist e garanton sipërmarrjen shqiptare.

Top Channel