“Të pastrojmë Shqipërinë në një ditë”

09/12/2011 00:00

Mijëra vullnetarë nga vende të ndryshme të globit i janë bashkuar lëvizjes “Le të pastrojmë botën”. Me pjesëmarrjen e qindra-mijëra dhe miliona qytetarëve, secili në shtetet përkatesë, ata kanë pastruar vendin e tyre…në një ditë.

Për një lëvizje të tillë, ndoshta më shumë se vendet e  tjera ka nevojë Shqipëria dhe falë përfshirjes së organizatës shqiptare “Green line” në këtë lëvizje globale për pastrim, pas pak muajsh, kjo ditë e pastrimit kombëtar do të ndodhë edhe në Shqipëri.

Organizata ka nisur që tani të sensibilizojë publikun për pjesëmarrje vullnetare dhe dita e zgjedhur është simbolike, 9 maj 2012, Dita e Europës.

Surpriza e orgnizatës “Green line”, projekti i të cilës mbështetet nga Ambasada Sllovene është eurodeputetja e mirënjohur sllovene, Tanja Fajon. Ajo do të jetë Ambasadorja e Shqipërisë në lëvizjen të pastrojmë Shqipërinë në një ditë.

Tanja Fajon, vetë ka marrë pjesë në një objekt të tillë vjet në Slloveni, ku lëvijes iu bashkuan mbi 200 mijë qytetarë sllovenë.

“Ky aksion u prit ekstremisht mirë nga sllovenët dhe në fund, ne jo vetëm pastruam vendin në një ditë, por ne u bashkuam si një komb i vetëm duke bërë vërtet dicka të mirë për të gjithë ne. Dhe kjo është të ndash përgjegjësitë për secilin, për të rinjtë dhe për të moshuarit. Kështu që tregojini vetes, Europës dhe botës se Shqipëria mund të bëhet dhe mund të mbetet një vend i pastër”, thotë eurodeputetja, Tanja Fajon.

Edhe qeveria shqiptare është renditur që në fillim në mbështetje të këtij projekti dhe sic thotë Ministri i Mjedisi, Fatmir Mediu ajo mund të konsiderohet si zile zgjimi për të gjithë shoqërinë shqiptare.

Data 9 maj, e parashikuar për të pastruar Shqipërinë në një ditë të vetme përkon edhe me fillimin e sezonit turistik në Shqipëri.

Megjithatë, ky projekt, bashkë me disa lëvizje të tjera për pastrimin e mjedisit, është një apel, që duke filluar nga sot, nëse ende nuk jemi ndërgjegjësuar për të pastruar mjedisin që na rrethon, të paktën të mos e ndotim atë.

Top Channel