Kufoma e një tjetër njeriu është gjetur mëngjesin e kësaj të enjte në
Adriatik. Salla operative e shërbimit policor në Durrës është njoftuar
nga peshkatarë durrsakë për konstatimin e një kufome në det të hapur,
rreth 300 metra larg bregut të detit, në zonën e Bishtit të Pallës.

Me të marrë njoftimin një skaf i policisë kufitare dhe një mjet i Rojes Bregdetare kanë shkuar drejt koordinatave të deklaruara për verifikimin e rastit dhe nxjerrjen e trupit nga uji. Pas afro 2 orë kërkimesh, pasi trupi është zhvendosur nga dallgët, autoritetet kanë mundur të nxjerrin në breg, trupin e një personi të seksit mashkull.

Ai është rreth moshës 35-40 vjec, 172 cm i gjatë dhe mban të veshura vetëm një palë xhinse. Sipas policisë, mendohet të jetë shtetas joshqiptar, duke iu referuar karakteristikave të pamjes. Trupi do t’i nënshtrohet ekspertizës mjeko-ligjore.

Ashtu si dhe për kufomën e gjetur në bregdetin e Kallmit dy ditë më parë dhe në këtë rast dyshohet se trupi i përket njërit prej marinarëve turq, antarë të ekuipazhit të anijes tregtare “Reina 1”. Kufoma e gjetur të mërkurën në zonën e Kallmit ka mbetur ende e paidentifikuar. Nga verifikimet e kryera trupi i pajetë nuk ka pasur ngjashmëri me ndonjë nga personat që deklarohen të larguar a të zhdukur nga familjet e tyre. Ky fakt ka përforcuar dyshimin se kufoma mund t’i përkasë njërit prej tetë marinarëve që u zhdukën në ujërat e Adriatikut, pas mbytjes së “Reina 1” gjatë përplasjes me tragetin “Ankara” të linjës Durrës-Bari, natën e 19 tetorit.
Autoritetet kanë kontaktuar me Ambasadën e Turqisë në vendin tonë për të dhënë dyshimet e tyre dhe kërkuar asistencë për identifikimin. Nëse identifikimi i trupave në morg do të jetë i pamundur përmes krahasimit me fotot ende të munguara të ekuipazhit turk, atëherë rruga e vetme do të jetë kryerja e analizës së ADN-së.
 
Tiranë, gjendet trupi i 12-vjecares së mbytur

12 vjecarja nga zona e Babrrusë që u mbyt të martën në mbrëmje në lumin e Tiranës është gjetur mëngjesin e kësaj të enjteje disa kilometra më larg se vendi në të cilin ajo u mbyt aksidentalisht. Trupi i saj u gjet nga një kalimtar i rastit pranë urës së institutit në Kamëz. Pas marrjes së informacionit, policia shkoi në vendngjarje për të kryer të gjitha veprimet e nevojshme.
 
Policia konfirmoi se bëhej fjalë për 12-vjeçaren Emiljana M. e cila rezultonte e zhdukur prej ditës së martë. Ngjarja ndodhi pasditën e së martës rreth orës 16:15, në zonën e Bregut të Lumit, në lagjen Shpat, kur vogëlushja ishte duke luajtur në afërsi të një ure me dërrasa e ndërtuar nga vetë banorët. Dëshmitarë të ngjarjes bënë të ditur se 12-vjeçarja humbi ekuilibrin dhe përfundoi në lumë.

Polumbarët e forcave RENEA dhe banorë të zonës nisën menjëherë kërkimet, por nuk arritën të gjenin trupin e vajzës, për shkak të ujërave të vrullshme të lumit. Ura e rrezikshme shërben prej kohësh si nyjë lidhëse mes lagjes Shpat në Babrru dhe Profarmes së Vjetër. Drejtues të komunës Paskuqan bëjnë të ditur se ura është një ndërtim i paligjshëm, i cili është prishur disa herë nga ana e autoriteteve, pasi përbën rrezik për jetën e banorëve, por është rindërtuar sërish. Banoret e zones, thone se prej vitesh kjo ure ka ardhur ne degradim dhe asnjehere nuk eshte bere asnje perpjekje per ta riparuar. Cdo dite, te rritur e femije jane te detyruar te kalojne mbi kete ure te rrezikshme.

 

Top Channel