E përplas makina, vdes 59-vjecari

07/12/2011 19:20

Një aksident rrugor me pasojë vdekjen e një personi është regjistruar pasditen e së mërkurës në aksin Fier-Patos.

Sipas informacioneve të fundit, një makinë që udhëtonte me shpejtësi të lartë ka përplasur për vdekje një kalimtar.

Autoritetet policore lokale njoftojnë se 59-vjecari Bashkim Ruka ka gjetur vdekjen e menjëhershme si pasojë e përplasjes së fortë.

Të njëjtat burime bëjnë të ditur se automjeti që goditi kalimtarin është larguar nga vendngjarja, ndërkohë që trupi i viktimës është dërguar për në morg.

Fushë Krujë, përplasen 3 makina, 5 të plagosur

Ndërkohë, një tjetër aksident i rëndë automobilistik ka ndodhur po pasditen e sotme, ku si pasojë janë plagosur 5 persona, 3 prej të cilëve në gjendje të rëndë.

Sipas polcisë, mësohet se aksidenti ka ndodhur në aksin Tiranë-Fushë Krujë, ku janë përplasur 3 automjete, dy makina tip “Benz” me targa të Tiranes dhe një “Golf” me targa të Lacit.

Tre të plagosurit në gjendje të rëndë janë dërguar në Spitalin Ushtarak në kryeqytet, ndërsa policia po heton për shkaqet e aksidentit.

Aksidentet rrugore me pasojë vdekjen janë pothuajse në rend të ditës në vend, dhe edhe pse policia deklaron se heton dhe ndjek përgjegjësit, asgjë duket se mund të ndalë fenomenin.

Muajin e kaluar rritja e numrit të aksidenteve rrugore, kryesisht për shkak të mosrespektimit të rregullave të qarkullimit, detyroi qeverinë të bëjë më të rrepta masat ndëshkuese për drejtuesit e automjeteve.

Per te parandaluar aksidentet dhe per te ulur sa me shume numrin e viktimave apo te demtuarve prej tyre, qeveria kishte propozuar katërfishimin e te gjitha gjobave te parashikuara ne Kodin aktual Rrugor.

Së fundmi, reshjet e dëborës në veri të vendit kanë bërë që forcat e rendit të marrin masa për të shmangur aksidentet.

Top Channel