Durrës, gjendet një kufomë e dekompozuar

06/12/2011 16:10

Një kufomë e dekompozuar është gjetur në breg të detit në zonën e Kallmit, jo larg vendit ku u gjet i djegur oficeri i SHISH-it Isa Çopa në Durrës.

Ka qenë roja e një objekti që ka pikasur trupin pajetë dhe menjëherë ka njoftuar shërbimet e policisë për praninë e pazakontë.

Nga këqyrja paraprake e trupit rezulton që ai t’i përkasë një personi të seksit mashkull, me moshë rreth të dyzetave.

Ende nuk bëhet e ditur nëse kufoma ka shenja plumbi a dhune, por gjetja e tij në një zonë pa shumë lëvizje shton dyshimet se mund të bëhet fjalë për një vrasje.

Gjithsesi përcaktimi i kohës së përafërt të vdekjes dhe shkaqet e saj do të deklarohen vetëm pasi kufoma t’i jetë nënshtruar ekspertizës mjeko-ligjore. Do të jenë ekspertët që do të përcaktojnë nëse bëhet fjalë për një vrasje me armë zjarri, mbytjes apo një vetëmbytje.

Ndërkohë, grupi hetimor që ka shkuar në vendin e ngjarjes ka nisur menjëherë veprimet për zbardhjen e plotë të këtij rasti dhe zbulimin e identitetit të viktimës, duke u nisur dhe nga denoncimet e familjarëve të ndryshëm për largimin nga banesa të njerëzve të tyre.

Top Channel