Në mbledhjen e qeverisë kryeministri Sali Berisha ka shënjestruar
programin ekonomik të opozitës, të cilin ai e quajti një model të
skamjes.

Për kryeministrin Berisha këto propozime të opozitës janë thjesht një rikthim në të shkuarën marksiste të saj.

“Shpreh keqardhjen time të thellë për disa propozime, të cilat synonin, pikërisht mekanizmin themelor të modelit, zëvendësimin  e mekanizmit të tregut të lirë të modelit me modelin marksist dhe sidomos tani që bënë zgjedhjet dhe rikthyen në prag të dhjetorit të gjithë byronë  e re politike në udhëheqjen e PS. A mund të më thoni ju a mbeti ndokush nga fëmijët e bllokut pa hyrë në byro? Jo asnjë. I dhimbshëm ishte propozimi i tyre, propozime të cilat kishin parasysh trustet dhe kompani të caktuara”, tha Berisha.
 
Buxheti ka qene ne qender te fjales se kryeministrit si nje element kyc sipas tij, qe tregon suksesin e qeverisjes me kete model ekonomik, permes te cilit, sic tha edhe zoti Berisha do te garantohet rritja e pensioneve, rrogave dhe realizimi i projekteve kombetare.

“Qeveria  e bazon këtë buxhet në performancën e ekonomisë shqiptare dhe funksionimin e këtij modeli që ka garantuar çdo vit, rritjen ekonomikë ndër më të lartat ne Evropë dhe në botë në kulmin e krizës”, tha Berisha.

Taksa progresive, Rama në blog: Zero për ata që kanë pagë të ulët

Në një analizë të publikuar në blogun e tij, Edi Rama argumenton se cfarë ndryshon, sipas tij dhe Partisë Socialiste, me taksimin progresiv.

Kryesocialisti Rama thotë se shifrat flasin më mirë se çdo koment. Sipas tij, pas refuzimit që kryeministri Berisha i bëri propozimit socialist për taksën progresive, tani, kush fiton më pak do vazhdojë të paguajë më shumë dhe kush fiton më shumë do vazhdojë të paguajë më pak.

“Nesër,- thotë Edi Rama në komentin e tij,- Nuk do të jetë më kështu. Ne do ta vemë në vend këtë padrejtësi të madhe”.

“Jo 10% taksë për të gjithë, nga pastruesja e infermierja tek ministri e kryeministri. Por zero taksë për atë që ka pagë minimale dhe progresivisht më shumë, deri tek deputetët, ministrat e kryeministri”, e përfundon Edi Rama komentin në blogun e tij edirama.al.
 
PS, taksat për pagat

Partia Socialiste shfrytëzoi seancën e votimit të buxhetit, për të
bërë publike, për herë të parë, skemën e detajuar të taksimit progresiv
mbi pagat, skemë të cilën ajo ka premtuar, se do ta rikthejë kur të vijë
në pushtet.

“Ka një prag përjashtues deri në 20 mijë lekë të
pagës; ka një prag 7 përqind të shumës mbi 20 mijë deri 40 mijë lekë të
pagës;një tatim që shkon 10 përqind të shumës mbi 40 mijë lekë të
pagës; një tatim që shkon 15 përqind të shumës mbi 70 mijë lekë të
pagës; një tatim që shkon 18 përqind mbi 100 mijë lekë të pagës dhe një
tatim që shkon 20 përqind, për shumën mbi 150 mijë lekë të pagës”, thotë
deputetja socialiste Mimi Kodheli.

Opozita thotë se përmes kësaj skemë, tatimi do të lehtësoje familjen mesatare në Shqipëri me rreth 3 mije lekë në muaj.

“Nëqoftëse sot për një pagë për 400 mijë lekë të vjetra, paguhen rreth
36 mijë lekë të vjetra taksë, ajo që ne duam që të sjellim është që kjo
pagë të tatohet, jo më shumë se 13-14 mijë lekë të vjetra. Do të thotë
me një llogari të shkurtër, që ne i kthejmë familjeve të zakonshme
shqiptare ne buxhetin e tyre 300 dollarë në vit”, tha deputeti socialist
Arben Ahmetaj

 

Top Channel