Këshilli i BE-së për Çështjet e Përgjithshme miratoi pas mesnatës
konkluzionet mbi Ballkanin. Për Shqipërinë, vlerësohen fillimisht
lëvizjet e fundit politike pozitive, por theksohen parregullësitë e
zgjedhjeve lokale të Majit si dhe mospërmbushja e asnjërit prej 12
prioriteteve kyçe.

“Këshilli mirëpret hapat e fundit pozitive lidhur me bashkëpunimin midis qeverisë dhe opozitës, në krijimin e një Komisioni Parlamentar për Reformën Zgjedhore dhe të një grupi pune për reformën e rregullores së Kuvendit, si edhe të një kalendari për miratimin e ligjeve që kërkojnë shumicën me 3/5, e cila ka çuar në miratimin e parë të tre ligjeve të tilla. Këto zhvillime pozitive duhet të ndihmojnë për të kapërcyer ngërçin që ka dominuar skenën politike të vendit. Zgjedhjet lokale në Maj u vlerësuan përgjithesisht si konkurruese dhe transparente. Megjithatë, procesi zgjedhor u shënua bindshëm nga parregullsi, të cilat duhet të adresohen në kuadrin e një reforme të plotë zgjedhore. Në përgjithësi, Shqipëria ka bërë progres të kufizuar në përmbushjen e kriterit politik për anëtarësim dhe të dymbëdhjetë prioriteteve kryesore për hapjen e negociatave të anëtarësimit”, thuhet në dokument.

Bashkimi Europian veçon rëndësinë e funksionimit të duhur dhe në mënyrë të pavarur të Kuvendit dhe gjyqësorit.

“Këshilli inkurajon qeverinë dhe opozitën për të ndërtuar mbi këto zhvillime të fundit pozitive, rivendosjen e plotë dhe të qëndrueshme të një dialogu konstruktiv politik, që të mbështesë funksionimin e duhur dhe pavarësinë e institucioneve kryesore demokratike, sidomos të parlamentit dhe të gjyqësorit. BE mbetet e angazhuar për perspektivën Europiane të Shqipërisë dhe do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet e vendit në këtë proçes”, thuhet më tej.

Në konkluzionet për Shqipërinë, vendit i kërkohet të bëjë gjithcka, që nga lufta kundër korrupsionit deri në zgjidhjen e çështjës së pronës, ndërsa vendimtare cilësohet reforma zgjedhore, e cila duhet të përmbushë të gjjitha rekomandimet e bëra nga OSBE/ODIHR që prej vitit 2007.

“Në përputhje me përfundimet e 20 Qershorit 2011, Këshilli gjithashtu inkurajon autoritetet shqiptare për të intensifikuar përpjekjet me axhendën e reformave, në veçanti për zbatimin e dymbëdhjetë prioriteteve kryesore. Përpjekje të mëtejshme janë të nevojshme, sidomos në fushat kyçe, duke përfshirë gjyqësorin, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, mbrojtjen e të gjitha minoriteteve, si dhe të drejtat e pronës. Dakordësia midis qeverisë dhe opozitës, në bashkëpunim me shoqërinë civile, mbi një reformë të plotë zgjedhore, duke trajtuar të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR-it që nga viti 2007, përpara zgjedhjeve të ardhshme mbetet vendimtare. Vetëm pas përmbushjes së çështjëve të mësipërme, Shqipëria do të jetë në gjendje për të ecur përpara në drejtim të BE-së, në përputhje me Konkluzionet e Këshillit të Dhjetorit 2010”, thuhet më tej.

Këto konkluzione do t’i kalojnë Samitit Europian që mbahet më 8-9 dhjetor.

Pergatiti ARTA TOZAJ

Top Channel