Sa të sigurt jemi në banesat tona?

05/12/2011 18:45

Sa here që ka kronika per zjarrin, shkëndija elektrike dhe bombula e gazit janë kryefjala e shkakut të ngjarjes. Dëmi më i pakët, nëse mund të quhet i tillë, është djegia e banesës dhe në rastin më të keq, humbja e jetës. Ngjarja me e fundit ishte tragjedia ku u shua pothuaj nje familje e tërë.

Po t’i referohemi rasteve më të mediatizuara, do kujtojmë një tragjedi të ngjashme ne Berat, ku për shkak të pakujdesise gjatë momentit të gatimit, një 42 vjecar humbi jetën, ndërkohë që u plagosën bashkëshortja dhe mbesa e tij 10-vjecare.

Ndërkohë, një tjetër ngjarje e rëndë është ajo e këtij fillimviti, ku dy fëmijë u gjeten te djegur në një banesë në Vlorë, kësaj radhe për shkak të pakujdesisë me energjinë elektrike. Nje furnelë korenti e lënë ndezur gjatë natës ka shkaktuar zjarr dhe si pasojë humbjen e jetës së dy të miturve nga flakët.

Një viktimë tjetër e mitur, po këtë vit, është shënuar në një fshat të Malësisë së Madhe. 6-vjeçarja është shkrumbuar si pasojë e shkëndijës elektrike, e cila ka shkaktuar zjarr në ndërtesën ku jetonte familja e saj.

Po aq e tragjike ishte dhe ngjarja në Tropojë, ku janë djegur mes flakëve nënë e bijë dhe për fat të mirë kanë shpëtuar 4 personat e tjerë që ndodheshin në dhoma të tjera të shtëpisë.

Në Borsh të Sarandës, një çift të moshuarish humbën jetën ndërsa ishin duke fjetur. Kësaj radhe shkaktari është bombula e gazit.  

Ngjarja më e bujshme mund të konsiderohet ajo e humbjes së jetës së këngëtares së njohur Anita Bitri, së bashku me të ëmën dhe vajzën e saj të vogël, të cilët u gjendën pajetë në banesën e tyre në Nju Jork.

Jo vetëm familjet janë bërë viktima të zjarreve të shkaktuara nga bombulat e gazit apo energjia elektrike. Edhe institucione si shkolla në Pukë apo teatri Skampa janë shkrumbuar gjatë këtij viti nën damkën e këtyre dy “autoreve”. Por, cili është fajtori i vertetë: Pakujdesia, mungesa e informacionit, apo papërgjegjshmëria e autoriteteve?

Top Channel