Eni Vasili – Dyshja Angela Merkel dhe Nikolas Sarkozy u pagëzuan tashmë nën një emër
të vetëm, që më shumë se një cinizëm francez gazetaresk, shënjon
emërtimin e një kohe të re.

E gjithë Europa pret sot nga ky çift liderësh të vendosin për të ardhmen e monedhës së përbashkët, për të ardhmen e BE-së, por edhe për të ardhmen e demokracisë dhe sistemit politik që ne njohim, pasi një shpërbërje e BE-së do të sillte në mënyrë të padiskutueshme në një reaksion zinxhir një sërë reaksionesh politike, ekonomike dhe të rendit publik vështirë të imagjinuara që sot.

Që pas verës Merkel dhe Sarkozy janë takuar të paktën një herë në muaj, ndërsa në javët e fundit thuajse çdo ditë.

Sot ata pritet të takohen sërish dhe të bëjnë publike në detaje propozimet e tyre për reformën e traktateve europiane. “Franca ka vendosur të konvergojë me Gjermaninë për të dalë nga kriza, – tha Sarkozy, – dhe ky është një vendim që nuk do të shkelet”. E ndërkohë që presidenti francez i sapo bërë baba mbështet pa kushte Gjermaninë, në prag të rikandidimit te tij të mundshëm për president, në Francë rritet antisimpatia ndaj Berlinit. Duket sikur historia përsëritet që nga koha e Bismarkut.

“Europa flet gjermanisht”, – tha një deputet gjerman gjatë kongresit të CDU. Në fakt, Europa duket e terrorizuar nga strafuqia ekonomike gjermane.

Italianët, të mërzitur me skrupolozitetin gjerman, presin shpëtimin, ndërsa Merkel i mban mbi spina si për t’u kthyer reston e batutave të pahijshme që jo shumë kohë më parë Berluskoni i bënte edhe asaj vetë.

Sytë dhe frymën pezull edhe grekët i mbajtën gjatë në pritje të ndihmës gjermane. Çdo vend europian në vështirësi shikon sot me dyshim e frikë nga superfuqia europiane. Tashmë Gjermanisë, nga çdo anë i lëshohen akuza për ngurtësi dhe vullnet dominimi, por edhe se po rrezikon modelin e demokracisë që shtetet anëtare kanë pranuar, kur vite me parë ranë dakord të hiqnin dorë nga shumë barriera, jo vetëm fizike. Kështu ndodhi p.sh, kur të gjithë pranuan euron si monedhën që do këmbente të mirat jetësore të europianëve. Ashtu siç ndodhi edhe me deuthche mark, kur Helmut Khol tha: ”Duam një Gjermani europiane dhe jo një Europë gjermane”.

Vetoja gjermane, në vend të referendumit grek, siç u verifikua në rastin Papandreu apo zëvendësimi i politikanëve me teknokratë si Lucas Papademos apo Mario Monti në Itali, sipas analistëve të politikës janë shenjat e para të drejtimit të centralizuar të Europës në aksin franko-gjerman dhe rrezikut të krijimit të një modeli të ri politik.

Një modeli politik që përjashton popullin nga vendimmarrja e për pasojë, vë në rrezik konceptin e demokracisë që nga themelet.

Vetoja dhe imponimi që sot po i bëhet vendeve në vështirësi ekonomike nuk ka asgjë të përbashkët me modelin dhe aleancën e barazisë dhe lirisë mbi të cilin u krijua Europa e Bashkuar. Do të fitojë diktatura e tregjeve apo demokracia, pyesin sot ekonomistë e politologë të përfshirë në prognozat për rendin e ri botëror.

Filozofi gjerman 82-vjeçar Jurgen Habermas, në një polemikë të nxehtë të nisur në faqet e ”La Frankfurter Allgemeine Zeitung” thotë se, në kohë krize janë politikanët ata që duhet të shpjegojnë qëllimet e tyre dhe t’u rikthejnë qytetarëve mundësinë për të marrë vendime, dhe kjo nuk është vetëm çështje demokracie, por edhe dinjiteti.

Përqendrimi i pushtetit në duart e liderëve europianë Merkel e Sarkozy, që u imponojnë marrëveshjet e tyre parlamenteve kombëtare,  nuk është rruga e drejtë, sipas Habermas.

Procesi post-demokratik në të cilin duket se Bashkimi Europian po hyn në heshtje, duket se do të detyrojë shumë shpejt vendet të heqin dorë nga copëza sovraniteti për t’i lënë hapësirë një vendimmarrjeje të centralizuar, të cilin traktatet e deritanishme nuk e lejojnë.

Teknokracia po sfidon hapur demokracinë dhe po fiton mbi të, por nuk dihet në do të fitojë sfidën për të cilën u instalua. Çdo vendimmarrje teknokrate ka nevojë për mbështetje numrash, dhe nuk dihet ende sa e gatshme do të jetë politika të heqë dorë nga terreni i saj, qoftë edhe në mënyrë të përkohshme. Një nga këto prova duhet të kalojë kryeministri Monti në Itali, të hënën, kur duhet të shpjegojë në parlament planin e manovrave ekonomike.

Po të hënën, dyshja e pagëzuar si “Merkozy” do të takohen sërish për të koordinuar marrëveshjet.
Në faqet e shtypit botëror po ravijëzohet skenari post-euro njësoj si modeli politik i post-demokracisë.

Por në një fjalim në Toulon duket se Sarkozy ka ravijëzuar idenë e tij për Europën e reformuar. Një Europë më solidale, por më e disiplinuar. Integrimi kalon përmes qeverive, tha Sarkozy, duke lënë të kuptohet se nuk është për federalizmin europian, ndërsa Merkel lëshoi sinjale pozitive për tregjet kur tha se, duhet të ndalohet së foluri për një bashkim fiskal dhe të fillojë të ndërtohet një i tillë.

Megjithatë, mbi kompromisin franko-gjerman qëndrojnë 2 rreziqe. Së pari, do të identifikohet si kompromisi i rregullave të serta sociale e fiskale, por gjithmonë e më pak demokratike, pasi janë rezultat i kompromiseve politike të qeverive dhe jo i vullnetit të qytetarëve europianë. A do të arrijë kompromisi ‘Merkozy’ të shpëtoje euron, por edhe demokracinë, mbetet një pikëpyetje dhe shpresë e ithtarëve të demokracisë europiane.

Gazeta “Shqip”

Top Channel