Euro vijon dobësimin kundrejt lekut

05/12/2011 08:00

Euro ka një javë që forcohet kundrejt dollarit në tregjet ndërkombëtare (me përjashtim të ditës së premte), por shqiptarët vijuan të heqin monedhën e tyre të parapëlqyer të kursimit në këmbim të lekëve, një fenomen ky i shkaktuar tërësisht nga paniku mbi fatin e Europës.

Pasi shënoi nivelin më të ulët në një vit kundrejt lekut ditën e premte, euro vijoi të shitej në tregun shqiptar gjatë fundjavës, duke rënë në 137-138 lekë bën të ditur gazeta ‘Shqip’. Të premten, sipas kursit mesatar të llogaritur nga Banka e Shqipërisë, euro këmbehej për 138.25 lekë. Kursi mesatar fiks llogaritet nga Banka e Shqipërisë, duke marrë për bazë kurset e shumë bankave dhe agjencive të këmbimit valutor dhe nuk llogaritet për ditët e pushimit. Megjithatë, faqja e internetit XE.com, e cila agregon shitblerjet me shuma të mëdha, shënoi ditën e djeshme vlerën 137.34 lekë, kuota më e ulët e shënuar në më shumë se 12 muaj.

Agjencitë e këmbimit valutor thonë se gjatë ditëve të fundit ka pasur ofertë të pazakontë për shitjen e eurove, ndërsa shumë qytetarë pyesin se çfarë duhet të bëjnë me eurot e tyre. Zgjedhja më e zakonshme është konvertimi i përkohshëm në lekë, por ka që i konvertojnë në dollarë.

Forcimi i papritur i lekut gjatë ditëve të fundit ngjan se është thjesht pasojë e panikut të shkaktuar nga lajmet e medias ndërkombëtare mbi mundësinë e shpërbërjes së euros, si pasojë e krizës së borxheve sovrane të disa vendeve si Greqia, Italia apo Spanja. Ndërkohë, investitorët në tregun ndërkombëtar duket se nuk janë kaq të frikësuar nga skenari teorik i shpërbërjes së euros, për shkak se monedha europiane qëndron e fortë kundrejt dollarit amerikan. Euro këmbehet aktualisht për 1.339 dollarë, ndërsa pati rënë gjatë muajit të fundit deri në 1.31 dollarë.

Gjatë dekadës së fundit, dollari është parë si monedha e sëmurë që humbet vlerë në mënyrë të vazhdueshme, ndërsa euro apo franga zvicerane janë parë si monedha që e ruajnë më mirë vlerën në kohë. Edhe shqiptarët duket se i janë nënshtruar këtij trendi të përgjithshëm botëror, duke e përdorur euron si monedhë kryesore për kursime, si monedhë për shitjen apo blerjen e mallrave me jetëgjatësi të madhe, si pronat e patundshme apo makinat. Gjatë tre viteve të fundit, kur vlera e monedhës shqiptare e lekut u vu në dyshim, si pasojë e tendencës nënçmuese, depozitat në euro ua kanë kaluar depozitave në lekë. Vetëm gjatë ditëve të fundit, paniku po i shtyn shqiptarët të heqin euron. Situata konsiderohet e përkohshme. Megjithatë, ajo pjesë e shqiptarëve që ka marrë kredi në euro dhe që gjatë dy viteve të fundit ka ndier shtrenjtimin e kredive me mbi 15 për qind, kjo është koha e përshtatshme për të 2-3 për qind të kostos së tyre të zakonshme.

Leku fitoi stabilitet kundrejt euros për herë të parë gjatë viteve 2002-2003 dhe e ruajti këtë stabilitet deri në vitin 2009, kur u këmbye rrotull kuotave 120-126 lekë. Pas mbarimit të marrëveshjes së asistencës me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe politikat e shkujdesura buxhetore sollën edhe dobësimin e lekut kundrejt euros gjatë tre viteve të fundit.

Euro/USD, luhatje të zakonshme në tregun ndërkombëtar

Euro shënoi rënie kundrejt dollarit gjatë ditës së premte, pas katër ditësh rritjeje të vazhdueshme, ndërsa investitorët morën një pozicion të kujdesshëm në pritje të takimit të krerëve të Bankës Qendrore të Europës dhe një samiti të Bashkimit Europian që do të mbahen këtë javë, njoftoi agjencia “Reuters”.

Monedha europiane shënoi rritje të konsiderueshme gjatë javës së fundit, pasi papunësia në SHBA rezultoi në rënie dhe raporte të ndryshme flasin për mundësinë që BQE të kreditojë vendet në vështirësi përmes Fondit Monetar Ndërkombëtar. Por tregu u përmbys në mesditë pas thashethemeve të ndryshme në treg, të cilat flisnin edhe për mundësinë e një zhvlerësimi të mëtejshëm të Spanjës nga agjencitë e vlerësimit të rrezikut.

Investitorët ngurruan të vijonin të blinin euro, pasi kjo e fundit shënoi rritje të konsiderueshme në pjesën e parë të javës.
“Gjendemi në një treg të mbushur me thashetheme, gjë që i shtyn shumë njerëz të jenë të kujdesshëm”, tha Davit Watt, një strateg i monedhave në Toronto.

Top Channel