Buxheti 2012, nuk pritet kompromis

04/12/2011 09:30

Nëse me ligjet si kodi rrugor apo ai hekurudhor, opozita dhe mazhoranca kanë gjetur konsensusin për t’i miratuar, ndryshe paraqitet situata me projektbuxhetin e vitit 2012, vlerësoi ditën e dielë e përditshmja “Shqip”.

Edhe pse vendi ka nevoja të mëdha për financime dhe për paketë masash antikrizë, forcat politike nuk gjejnë një kompromis, sikurse ka ndodhur në vende të ndryshme të rajonit apo të Eurozonës.

Dita e shtunë ishte rasti i duhur për të treguar bashkëpunimin, kur në Komisionin e Ekonomisë do të diskutohej buxheti, por sërish opozita është shprehur me rezerva, duke ia lënë vetëm mazhorancës votën pro.

Pas diskutimeve në parim dhe nen për nen për dy javë të plota, Komisioni i Ekonomisë i dha dorën e fundit projektit që do t’i sigurojë vendit një rritje ekonomike 4.3%.

Arben Ahmetaj, në emër të Partisë Socialiste, tha se opozita nuk është kundër buxhetit dhe nuk është se nuk ka treguar bashkëpunim, por fakti që qeveria nuk merr në konsideratë asnjë nga propozimet, e bën miratimin thjesht fiktiv.

“PS-ja do të votojë pro buxhetit, vetëm nëse merren parasysh propozimet e opozitës. Paketa e propozimeve parashikon uljen ose heqjen e TVSH-së për disa artikuj bazë ushqimorë, heqjen e TVSH-së për ilaçet, si dhe vendosjen e tatimit progresiv”, tha Ahmetaj.

Buxheti i vitit të ardhshëm parashikon një total shpenzimesh, me vlerë rreth 397 miliardë lekë, ose vetëm 1.5% më tepër se buxheti i këtij viti (para ndryshimeve). Duke e krahasuar me projektin e korrikut, ku qeveria shkurtoi 18 miliardë lekë, drafti i 2012-s nuk shkon më tepër në rritje me 5%.

Sa u takon investimeve, nuk parashikohet rritje e tyre, duke i mbajtur të njëjta, si me 2011-n, rreth 70 miliardë lekë, kurse të ardhurat parashikohen në 352 miliardë lekë.

Top Channel