Zgjedhjet dhe deformimi “fitimtar-humbës”

03/12/2011 00:00

Gëzim Tushi – Këto ditë që kanë filluar negociatat midis dy partive të mëdha, Partisë
Socialiste dhe Partisë Demokratike dhe paralelisht me to edhe takimet
pretencioze të partive të vogla për fillimin e procesit të reformimit të
kodit apo edhe sistemit zgjedhor, natyrshëm që është rritur jo vetëm
interesi i forcave politike, por edhe interesimi i qytetarëve për të
pasur një Kod Zgjedhor sa më të qartë, adekuat, që të mund të kemi
rezultate jo vetëm të pakontestueshme, por që zgjedhjet të prodhojnë
elektoralisht qeveri me autoritet politik dhe të qëndrueshme në kohë.

Është e vërtetë që Kodi Zgjedhor i kaluar ka nevojë për ndryshime dhe përmirësime, sepse ai është mjeti me të cilin zgjedhjet në Shqipëri mund të bëhen më të besueshme, të kontrollueshme, të pakontestueshme, me mundësi sa më minimale manipulimi apo cenimi të integritetit elektoral të votës qytetare.

E parë në këtë aspekt, të duket se çështjet e reformës zgjedhore dhe nevojat e përmirësimit të Kodit, janë vetëm çështje të rregullimeve teknike, ligjore dhe empirike; që janë imperative dhe shumë të domosdoshme që të realizohen me konsensus sa më të gjerë midis partive politike. Kjo është njëra anë e problemit. Por në të vërtetë sipas meje, çështjet e politikës shqiptare, debatet për zgjedhjet dhe rezultatet elektorale vazhdimisht të kontestuara, nuk janë çështje të thjeshta empirike e teknike që lidhen dhe mund të zgjidhen vetëm me përmirësimet teknike të Kodit Zgjedhor. I cili, sipas mendimit tim, me gjithë vlerën që mund të ketë nuk është për politikën shqiptare ndonjë “instrument teknik” me fuqi të pavarura, që garanton identitetin e zgjedhjeve dhe integritetin e votës së qytetarëve.

Megjithatë, nëse ka një gjë që kërkohet që të ndryshojë, është jo aq garantimi teknikisht i zgjedhjeve dhe i integritetit të votës së pacenuar. Ato po e po që duhen arritur në këtë Kod Zgjedhor. Por ajo që presin shqiptarët nga politika dhe kodet e “ lojës” së saj, është largimi jo aq i mangësive teknike të kodit, por i deformimit të thellë që sjellin zgjedhjet dhe politika shqiptare, e cila udhëhiqet dhe frymëzohet nga parimi që, “fitimtari merr gjithçka”. Sepse zënkat elektorale, mëritë politike, sulmet reciproke post-zgjedhore që zhvillohen, bashkë me akuzat reciproke permanente për vjedhje dhe manipulime të votës nga pala kundërshtare, janë bërë banale dhe të zakonshme në politikën tonë. Beteja midis “fitimtarit” dhe “humbësit”, është bërë lajtmotiv politik i pandryshuar për të gjitha llojet e zgjedhjeve që janë zhvilluar në Shqipëri në dy dekadat e fundit. Kanë kaluar dy dekada dhe ende nuk është bërë e mundur që demokracia elektorale shqiptare të gjejë stabilitetin e duhur, sidomos pas zgjedhjeve, duke përcaktuar pa konflikte të mëtejshme “fitimtarin” dhe “humbësin” dhe vazhdimin e “lojës” dhe të marrëdhënieve politike midis tyre. Analisti politik amerikan, Fareed Zakaria, duke analizuar situatën e vendeve në tranzicionin demokratik, konstaton se, “…problemi me këto sisteme ku fitimtari rrëmben gjithçka, është se në shumicën e vendeve në demokratizim e sipër, ata vërtetë rrëmbejnë gjithçka”. (F. Zakaria, “E ardhmja e lirisë”, f. 161)

Natyrisht, zgjedhjet këtë mision kanë; të ndajnë “fitimtarin” nga  “humbësi”. Por këto raporte dikotomike duhen kuptuar në mënyrë demokratike edhe njëherësh si bashkëpërgjegjësi politike e integruar, në të cilën fitimtari merr qeverinë dhe qeveris vendin, por dhe “humbësi”, opozita ka rolin dhe pushtetin e vet moral dhe opozitar. Ajo nuk merr pjesë jo në qeveri, por është pjesë përbërëse e procesit të qeverisjes së vendit, në të cilën ka rol dhe përgjegjësi të përbashkët. Sidomos për cilësinë e realizimit të saj. Sepse një nga shkaqet që rezultatet e votimit në Shqipëri janë të sikletshme, që marrëdhëniet para dhe pas elektorale midis partive politike acarohen, shoqërohen me akuza të gjata për vjedhje dhe manipulime, është se “loja politike” nuk luhet sipas rregullave demokratike, në të cilën jo gjithçka është vetëm e fitimtarit.

Në të vërtetë, akoma jemi larg perceptimit demokratik të rezultatit të zgjedhjeve. Kjo ka cenuar rëndë besimin reciprok dhe integrimin e bashkëpërgjegjësisë politike për qeverisjen e vendit. Ne mund të rindërtojmë Kodin Zgjedhor, por së pari dhe mbi të gjitha akoma nuk kemi ndërtuar Kodin Moral të politikës që i bën zgjedhjet të besueshme, që ndihmon në ndarjen paqësore të roleve dhe angazhimit politik për të mos e “prekur” votën, për të mos deformuar pas zgjedhjeve marrëdhëniet e “fitimtarit” me të “humbësin”. Sipas mendimit tim, këtë ekuacion të parregulluar të politikës sonë nuk e zgjidh dot asnjë Kod Zgjedhor, sado i mirë dhe konsensual që të jetë ai. Sepse përtej kësaj kërkese, politika shqiptare ka nevojë të pranojë dhe të vërë në punë një Kod Moral të përbashkët, i cili paraprakisht do ta ndihmonte politikën shqiptare që të rregullonte formulën e bashkëpërgjegjësisë midis fitimtarit dhe humbësit, duke e larguar politikën, por edhe qytetarin, nga sindromat elektorale tradicionale të politikës shqiptare, sipas të cilave, pas zgjedhjeve “fituesi merr gjithçka dhe humbësi i humbet të tëra”. Nuk mund të ketë zgjedhje të mira dhe rezultat elektoral të pakontestuar, nëse partitë në pushtet dhe ato që kalojnë në opozitë nuk e mendojnë se demokracia është e tillë, që ka nevojë për Kodin Elektoral, që përpiqet të kalojë votën e qytetarit në një mekanizëm të besuar, që mund të ndihmojë teknikisht për të sjellë një rezultat të pakontestuar. Por Kodi Moral është ai që duhet të krijojë kulturën e re politike të kundërt me atë që “fitimtari merr gjithçka dhe humbësi i humbet të tëra”, duke kultivuar konceptin që fitimtari dhe humbësi, po aq sa e ka të ndarë përgjegjësinë, ka të rolin e opozitës në qeverisjen e integruar, qoftë ajo qendrore apo lokale. Sepse vërtet fituesi merr pushtetin dhe qeveris vendin apo pushtetin vendor në bashki apo komunë, por në to logjikisht që ka vend për “humbësin”.

Në jetën pluraliste nuk ka më pushtet absolut të askujt, as të atij që fiton zgjedhjet, sepse “fitimtari i zgjedhjeve” të radhës nuk ka të drejtë të sillet si të dojë dhe të bëjë çfarë të dojë me “humbësin e zgjedhjeve”. Çmimet politike të lojës elektorale, të fitimtarit me humbësin, në demokraci janë të qarta. Ne i ngatërrojmë ato. Dhe i ngatërrojmë aq keq, saqë të krijohet ndjenja e pesimizmit politik se asnjë Kod Zgjedhor, sido që të jetë ai, imitim i çfarëdolloj sistemi analog apo produkt hibrid i politikës shqiptare, nuk mund të japë atë rezultat që presin politikisht shqiptarët, nëse nuk rregullohet Kodi Moral që duhet ta mësojë politikën, që kur hyn në garë, të përgatitet që të luajë të dy rolet: edhe të fitimtarit që fiton pushtetin, por që nuk merr gjithçka dhe të humbësit, që vërtet humbet pushtetin, por nuk humbet përgjegjësitë e veta qeverisëse dhe morale të opozitës.

Kështu që pa rregulluar Kodin Moral të politikës, jam i sigurt që çfarëdo Kodi Elektoral që do të miratohet, çfarëdo konsensusi teknik që do të sigurohet, me siguri që edhe në zgjedhjet e ardhshme do të kemi të njëjtin produkt, do të dëgjojmë të njëjtat histori. Politika na ka mësuar të mos ndalemi së “prodhuari dhe konsumuari” këtë politikë, që deri tani ka vuajtur nga mungesa e Kodit Moral, që qartëson raportet dhe përgjegjësitë midis “fitimtarit” dhe “humbësit”. Politika jonë moralisht ka qenë politikë me cilësi të keqe. Kjo është arsyeja pse të gjitha zgjedhjet e bëra deri tani e kanë mbajtur jo vetëm politikën në “ngërçe”, por dhe qytetarin elektoralisht të shqetësuar, politikisht të “lëvizshëm” padrejtësisht dhe për një kohë shumë të gjatë, të vendosur në “tension post-elektoral”.

Politika duhet të rregullohet moralisht për të shmangur konfliktet, skepticizmin, pse jo dhe dhunën para dhe pas- elektorale, kulturën politike dhe formulën e deformuar të raporteve “fitimtar-humbës”. Ndryshe, nuk do ndahemi nga situata që prodhon frikë elektorale, tension politik, ndjenja militanteske patologjike. Demokracia nuk është “lojë e vetme”, të cilën e “luan i vetëm” fitimtari. Zgjedhjet në Shqipëri, kurrë nuk do të jenë të mira, të besueshme, paqësore, qytetare dhe konsistente nëse partitë politike nuk kuptojnë “honin” e madh elektoral që kanë krijuar. Nuk ka Kod Zgjedhor që mund të korrigjojë problemet tona para, gjatë dhe post-elektorale, nëse politika nuk korrigjon veten, së pari moralisht. Pse nuk janë “defektet” e Kodit Elektoral ato që kanë krijuar këtë klimë politike, por është politika shqiptare, e cila në vite ka gërryer themelet e besimit elektoral dhe përkeqësuar në ekstrem marrëdhëniet e natyrshme të “fitimtarit” me “humbësin”. Nëse nuk do të korrigjojmë së pari marrëdhëniet morale të politikës, çfarëdo kodi që të hartohet, është e pamundur që të zgjidhet situata e dyshimeve, pretendimeve dhe skepticizmit elektoral për besueshmërinë e rezultatit të zgjedhjeve. Pa rregulluar këtë kod, nuk është e mundur që të krijohet situata që të kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kjo është arsyeja nga ana tjetër, se pse politika jonë nuk mësohet edhe me faktin tjetër; që në ndonjë rast, për arsye që nuk varen tërësisht prej saj, zgjedhjet mund të jenë jo plotësisht të qëlluara, në një klimë besimi reciprok dhe të funksionimit të marrëdhënieve, jo sipas parimit totalitar që “fituesi i merr të tëra” dhe “humbësi humbet gjithçka”, është e mundur që të tolerohet me “masë” qoftë politikisht dhe qytetarisht. Pa cenuar anën sasiore dhe cilësore të zgjedhjeve në Shqipëri. Ndoshta, vetëm nëse politika mendon kështu, mund të bëhen me vlerë dhe të dobishme ndryshimet apo përmirësimet që mund dhe duhet t’i bëhen “Kodit Zgjedhor”, duke zgjidhur problemin moral, që pas zgjedhjeve edhe humbësit të kenë “pjesën e tyre”. Le të shpresojmë se politika do bëjë “gjënë e duhur” kësaj radhe…

Gazeta “Shqip”

Top Channel