Vetëvritet administrator i “Carrefour”

03/12/2011 00:00

Drejtori i hipermaketit “Carrefour” në Shqipëri, Xavier Thibonet, 42 vjec me shtetësi franceze, i ka dhënë fund jetës në banesën ku ai jetonte prej pothuajse gjashtë muajsh në Tiranë.

Sipas burimeve të policisë, referuar kqyrjes së vendngjarjes dhe ekzaminimit paraprak të kufomës, ka dyshime të forta se 42-vjecari është vetëmbytur me rripin e pantallonave.

Burimet përjashtojnë ndonjë dyshim të mundshëm për vrasje. Grupi hetimor pohon për Top Channel se ka të dhëna që viktima  të mos ketë dalë nga banesa pranë Rrugës së Elbasanit në Tiranë, ku ai jetonte me qera që prej të premtes në mëngjes.

Kontaktet e tij të fundit kanë qenë me kolegë të punës, tha policia, madje kanë qenë vetë këta të fundit që kanë njoftuar policinë për mungesën e 42-vjecarit në detyrë.

Pjesëtarë të grupit të hetimit nga sektori i krimeve kundër jetës në Drejtorinë e Tiranës, sektor i cili po e heton këtë ngjarje pohojnë se kanë dyshime që inxhinieri mund t’i ketë dhënë fund jetës për shkaqe familjare dhe një ndër këto dyshime është fakti se bashkëshortja e tij ishte larguar para dy javësh në Rusi.

Megjithatë thanë të njëjtat burime po verifikohen telefonatat dhe njerëzit me të cilët Thibonet ka patur komunikim për të zbuluar ndonjë të dhënë tjetër, pavarësisht se nga dëshmitë e disa prej të njohurve të viktimës mësohet se ai së fundmi nuk ka shfaqur shenja depresioni.

Policia deklaron jo zyrtarisht se në bazë të veprimeve të para hetimore dhe provave të gjetura në vendngjarje në banesën e Thibonet nuk janë gjetur gjurmë të tjera përvec gjurmëve të viktimës.

Top Channel