Paniku për euron mbërrin në Tiranë

03/12/2011 08:45

Shpërbërja e euros është ende një teori që për ekspertët ndërkombëtarë është hipotetike, por lajmet mbi mundësinë e kësaj ndodhie kanë shkaktuar sakaq panik në vendet e Ballkanit, të cilat tradicionalisht e kanë përdorur këtë monedhë si mjet kursimi.

Në Tiranë, Shkup dhe Beograd, monedhat vendase njohën forcim gjatë ditëve të fundit, ndërsa njerëzit po nguten të këmbejnë eurot e tyre në monedha alternative, njofton gazeta “Shqip”.

Euro u këmbye të premten për 138.25 lekë, kuota më e ulët e regjistruar që nga 11 janari i këtij viti. Në krahasim me të enjten, euro humbi 0.7 për qind, ndërsa në krahasim me një javë më parë, euro kushton 1.3 për qind më lirë.

Leku u forcua dje edhe kundrejt dollarit, i cili u këmbye me 102.57 lekë sipas kursit mesatar të publikuar nga Banka e Shqipërisë.

Nëntori nuk njihet si një muaj pozitiv për lekun. Përgjatë dekadës së fundit, leku gjatë kësaj periudhe të vitit ka njohur dobësim gradual për shkak të rritjes së importeve për ushqime dhe energji.

Por lajmet apokaliptike të publikuara nga media ndërkombëtare dhe veçanërisht ajo britanike mbi rrezikun e shpërbërjes së eurozonës, duket se i kanë nxitur një pjesë të shqiptarëve të shesin eurot e veta, ndërkohë që një pjesë tjetër po nxiton të blejë euro duke përfituar një kurs të mirë për të mbuluar këstet mujore të kredive për shtëpi.

E njëjta situatë raportohet edhe në pjesë të tjera të Ballkanit. Paniku mes popullatës në Maqedoni detyroi guvernatorin e bankës qendrore të këtij vendi, Dimitar Bogov të dalë në media për të njoftuar se asnjë apokaliptike nuk pritet të ndodhë.

Dinari maqedonas është i lidhur me kurs fiks me euron në masën 61 dinarë për euro dhe rrjedhimisht, tendenca e popullatës për të shitur euro nuk jep pasoja te kursi i këmbimit.

Përgjatë muajve të fundit leku është luhatur gradualisht në kuotat 140-142 lekë, me kapërcime të pakta përtej këtyre kuotave. Luhatshmëria mesatare ditore ka qenë jo më shumë se 0.3 për qind. Por gjatë ditës së djeshme leku u forcua me 0.7 për qind.

Top Channel