Një funeral dhe disa llogari elektorale

03/12/2011 00:00

Skënder Minxhozi – Shumë kohë më parë, më 13 nëntorin e largët të vitit 1993, kur guxoi të
zbresë me një çarter nga Jordania e largët në Aeroportin e Rinasit, e
patën kthyer mbrapsht brenda pak orësh.

Pa i dhënë asnjë shpjegim dhe pa kurrfarë elegance, nga ajo që do t’i takonte një fisniku me gjak blu. Por si për t’i dhënë të drejtë shprehjes se historia nuk përsëritet kurrë dy herë në të njëjtën formë, asaj sjelljeje arrogante të Berishës së parë asokohe, i korrespondoi shumë vite më pas një sjellje dukshëm më e ngrohtë e Berishës së dytë. Këtij që kemi sot Kryeministër. Pikërisht, më e ngrohtë, dhe a e dini pse? Sepse tashmë, pas kthimit në 2002, Leka Zogu i kishte ndërruar prej kohësh uniformën ushtarake dhe ëndrrat për të marrë në dorë frenat e së djathtës shqiptare, me robdeshambrin e të sëmurit kronik që u kthye në Shqipëri në vitin 2002 bashkë me familjen, thjesht dhe vetëm për të mbaruar ditët në atdheun që s’e gëzoi kurrë që nga lindja. Një mbret pa projekt e që merr leje për çdo gjë te qeveria e radhës, është shumë më i mirë se një pretendent që kërkon të marrë në dorë frenat e shtetit. Një pensionist si qindra mijë të tjerë në këtë vend, më shumë sesa një sfidant politik që reklamon pjesën e tij të tortës – ja si përfundoi saga e Leka Zogut në dekadën e fundit!

Vdekja e Leka Zogut, pas një lëngate të gjatë, dha të gjithë kohën që protokolli zyrtar i ikjes së tij të mendohej (kupto të përdorej) siç duhej nga qeveria. Më shumë sesa për ceremonialin mortor të Leka Zogut, më shumë se për çështjen “e pambyllur” të formës së shtetit, pas referendumit të vitit 1997 (një deklaratë totalisht e papërgjegjshme kjo!), Sali Berisha po përpiqet të bëjë të vetmen gjë që di të bëjë në rastet kur mund të ofrojë një gjest djathtas, pa shpenzuar shumë energji: pra, t’i bjerë fort tamtamit ideologjik që e bashkon me antikomunizmin historik, për të kompensuar sa të mundet ndryshkun dhe pakënaqësinë që ka ndaj tij ky segment i shoqërisë shqiptare. Duke hedhur një tufë lule mbi varrin e trashëgimtarit të Fronit, Berisha po përpiqet t’i shkelë sa të mundet syrin të gjithë “nebulozës” së djathtë, e cila përmbledh pronarë të zemëruar për pronat e pakthyera, ish të përndjekur që ende sillen rrugëve pa një të ardhme për vete e fëmijët e tyre, si dhe një numër akoma jo të vogël votuesish që kanë alergji për të majtën, por që nuk votojnë as krahun tjetër prej kohësh. E gjitha kjo listë e gjatë shqiptarësh, teorikisht e afërt me shumicën aktuale, por e ftohur nga gjashtë vjet qeverisjeje defektoze e një mazhorance që deklarohet e djathtë, por që pushtetin faktik e ndan me të majtën e Ilir Metës, mund të sugjestionohet sadopak, në llogaritë e Kryeministrit, nga ky gjest prej të djathti!

Viti që na ndan nga zgjedhjet do të jetë i vështirë. Berisha e di fort mirë këtë gjë. Si për t’i shtuar edhe një peshë tjetër thesit të rëndë të halleve që ka, kërcënimi që vjen e shtohet nga projekti i përfolur politik i Presidentit Topi (ende me shumë pikëpyetje pas vetes), ia rëndon edhe më tej Kryeministrit marrëdhënien traumatike që u formësua mes qeverisë së tij dhe shtresave sociale që natyrshëm mbështesin të djathtën. Aleanca e detyruar me Ilir Metën vetëm sa e rëndoi këtë marrëdhënie, e cila s’ka qenë kurrë më e keqe se sot. Në këtë terren të mbarsur me pakënaqësi dhe ftohje, një ofertë alternative e Bamir Topit mund të krijonte jo pak probleme. Berisha e ndjen këtë rrezik dhe vdekja e Leka Zogut ishte një rast i përshtatshëm për t’u kapur në ajër, me qëllimin e pastër taktik të afrimit disi me elektoratin antikomunist tradicional. E ç’kushton, në fund të fundit?! Asgjë! Tashmë me ikjen e Leka Zogut, ajo çka mbetet nga stema mbretërore e Ahmet Zogut as që ia vlen të merret në konsideratë. Nipi i mbretit të parë të shqiptarëve është sistemuar diku në administratën shtetërore (rast i rrallë ky, pasi mbretërorët nuk punojnë, por thjesht mbretërojnë), ndërsa grupimet politike që identifikohen me monarkinë gjenden në pikë të hallit, nga pikëpamja e peshës politike e elektorale. Koshient për këtë hapësirë të vogël të mbetur vakante në spektrin politike, Berisha po turret për të bërë për vete, të paktën në ditën e fundit të vdekjes së trashëgimtarit të fronit, atë numër mbështetësish nostalgjikë të mbretërisë, por përmes tyre, edhe të tjerë akoma, që sot e gjithë ditën mendojnë se Berisha është po aq i keq sa Edi Rama. Është një nga ato situata që anglezët i quajnë “win-win”, (pra të fituara sido që të shkojnë punët). Ka vetëm një problem. A do mund ta ndihmojë vërtet makijazhin e prishur të qeverisë aktuale një ceremonial funebër?! Pak si vështirë që të jetë kështu. Një monark që s’ia arriti ta ndihmojë së gjalli kauzën zyrtare, vështirë se do ta bëjë këtë kur s’është më…

Gazeta “Shqip”

Top Channel