Korcë, fshati me ujë të ndotur

03/12/2011 00:00

Amortizimi i tubave në rrjetin e ujit të pijshëm ka bërë që në fshatin
Rëmbec banorët të kenë ujë të ndotur duke u përballur kështu me një
rrezik të lartë.

Rrjeti i jashtëm i ujësjellësit është me tuba eterniti, të cilët jo vetëm janë çarë në shumë vende por edhe janë konsumuar e janë bërë të rrezikshëm për shëndetin e banorëve. Sipas kryeplakut të këtij fshati problemi përjashton rrjetin e brendshëm të fshatit pasi të gjitha kanalizimet dhe tubacionet janë rikonstruktuar së fundmi por është pjesa e tubacioneve që lidhin burimin me fshatin ajo që ka me shume probleme.

Problemi është pohuar edhe nga shefi i higjienës dhe epidemiologjisë pranë Drejtorisë së Shëndetit Publik Luan Bejko.

Një shqetësim tjetër është edhe ai i klorinimit të ujit të pijshëm në disa komuna, ku sipas të dhënave nga ana e shëndetit publik shpesh konstatohet se nuk hidhet sasia e duhur e klorit, gjë që rrezikon edhe përhapjen e epidemive.

Top Channel