Mister faturat e papaguara të energjisë

01/12/2011 08:00

CEZ e konsideron konfidenciale deklarimin e borxhit të keq, atë pjesë të faturës së dritave të papaguara nga shteti në vitet 2008-2010, edhe pse kërkesa për rritjen e çmimit me 5 për qind bazohet pikërisht te kjo e dhënë.

CEZ e konsideron borxh të keq, atë pjesë të faturës që nuk ka mundësi ta mbledhë më, pra të “vdekur” dhe këtu nuk futet vetëm shteti, konsumi i administratës, por edhe i familjeve dhe bizneseve.

ERE e ka rrëzuar këtë nivel borxhi, që shkon mbi 21 për qind, në raport me faturimet, pasi në të kundërt do t’i jepte shans CEZ-it të argumentonte me siguri kërkesën për shtrenjtimin e faturave.

I pyetur me insistim nga mediat, drejtori i përgjithshëm i “CEZ Shpërndarjes”, Jozef Hejsek, nuk pranoi të jepte vlerën e borxhit të keq, pasi sipas tij është konfidenciale.

Të gjitha misteret vërtiten rreth sasisë së faturuar nga CEZ për energjinë e konsumuar nga administrata shtetërore, sidomos në vitin 2009. Kjo periudhë ndahet në dy pjesë, pasi në qershor çekët blejnë OSSH-në, pra e marrin nën zotërim.

Megjithatë, nga përllogaritjet e bëra nga “Shqip”, bazuar mbi bilancet e viteve 2008-2010, rezulton se borxhi i keq është në nivelin e 28 miliardë lekëve, ose 200 milionë euro.

Ky borxh, sipas CEZ, nuk mund të mblidhet më, dhe natyrisht shkakton kosto të konsiderueshme. Për këtë shkak, kompania kërkoi nga ERE që t’i njihet niveli i borxhit, në nivele gati 20 për qind, por Enti e rrëzoi, duke miratuar nivelin 14 për qind, me synim uljen 1 për qind çdo vit.

Argumenti i ERE për mosmiratimin e nivelit të kërkuar lidhet me punën jo të mirë të kryer nga CEZ për mbledhjen e faturave. Deri në vitin 2006, mesatarisht 40% e energjisë elektrike është humbje dhe as nuk arrin të faturohet.

Ekspertët e opendata thonë se, në 2009-n, humbjet janë rreth 35% e energjisë elektrike të futur në sistem dhe kanë pësuar rritje në krahasim me një vit më parë.

“Ulja e eficiencës në përdorimin e energjisë elektrike ka ardhur si pasojë e një menaxhimi të dobët të sektorit të shpërndarjes nga OSSH dhe privatizimi i saj ende nuk ka dhënë asnjë shenjë domethënëse në përmirësimin e treguesve”, shtojnë ekspertët.

Top Channel