Nisja e punës së Komisonit Parlamentar për Reformën Zgjedhore është
përshëndetur edhe nga Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe
Siguri në BE, Catherine Ashton.

“Përfaqësuesja e Lartë mirëpret takimin inagurues të Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore që u zhvillua në Tiranë. Ashton inkurajon të gjitha forcat politike që të vazhojnë punën në mënyrë konstruktive në këtë komision, për të arritur konsensus për reformën zgjedhore, në kohën e duhur para zgjedhjeve të ardhshme. Reformimi i kuadrit legjislativ për zgjedhjet në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR, përbën një prej prioriteteve kyçe që Shqipëria duhet të përmbushë, për të ecur më tej drejt qëllimit kombëtar të integrimit europian”, thuhet në një deklaratë të shpërndarë nga zëdhënësja e Ashton.

Përfaqësuesja e Lartë per Politikë të Jashtme dhe Siguri në BE, u përfshi në zhvillimet në vend menjëherë pas ngjarjeve të 21 janarit, nëpërmjet të dërguarit të posaçëm Miroslav Lajçak, vizitat e të cilit nuk sollën asnjë rezultat në afrimin e palëve.

Përveç Komisionit dhe Parlamentit, me këtë deklaratë edhe Këshilli i BE-së i bashkangjitet insitucioneve europiane që përshëndesin marrëveshjet dhe lëvizjet e fundit politike në Shqipëri.

Pergatiti ARTA TOZAJ

Top Channel